Isuf Zejna, nga “Demokracia Plus”, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se në seancën e 3 gushtit, kur edhe pritet të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, fillimisht duhet të bëhet verifikimi i deputetëve, ndërsa më pas kalohet në votim për kryesinë e Kuvendit.
Ai thotë se gjasat që ky votim të kalojë janë shumë të vogla pasi që, sipas tij, “PAN-i nuk ka asnjë koalicion paszgjedhor”.
“Nuk pres që zotëri Veseli të kandidohet për postin e Kryetarit të Kuvendit. Përderisa PDK e sheh që nuk i ka numrat, nuk do ta kandidojë Veselin për këtë post sepse do të shihej dobësia e tij”, tha Zejna.
Ai thotë se përveç Vetëvendosjes dhe LAA-së, që janë deklaruar kundër kandidaturës së Veselit, as partitë e pakicave nuk kanë deklaruar se do ta votojnë Veselin për kryetar të Kuvendit.
Zejna, duke folur për procedurën e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, thotë se rëndom Kryetari zgjidhet me vota të hapura, por përmes një procedure, mund të kalojë edhe në votim të fshehtë.
“Dalja e deputetëve të LAA-së nga salla gjatë votimit për kryetar të Parlamentit, nuk do ta prishte kuorumin për mbajtjen e votimit, mirëpo sikur të largoheshin edhe deputetët e VV-së, atëherë kjo do të prishte kuorumin”, ka thënë Zejna.
Ndërkaq, në rast se PAN, si fitues i zgjedhjeve, dështon të zgjedh kryetarin e Kuvendit deri në tre tentime, Zejna tha se nuk ka ndonjë interpretim kushtetues për këtë rast.
“Mirëpo, unë konsideroj se nëse Veseli nuk është i pranueshëm për partitë tjera, PAN-i duhet të kandidojë një tjetër emër. Por, partitë duhet të konsultohen më pas për emrin e ri, pasi që ky do të jetë vendim i atypëratyshëm i PAN-it”, thotë Zejna.
“Komunitetet jo-serbe, tradicionalisht në institucione e kanë përkrahur PDK-në, dhe nuk besoj se nuk dot ë kenë as kësaj radhe problem me ta. Mirëpo, Lista Serbe do ta kushtëzojë, ndonëse nuk e di se çfarë kushtesh do të kenë.
Supozoj se do të kenë kushte të mëdha sepse kanë numër të madh të deputetëve. Ata janë vota vendimtare. Ose do të kërkojnë Asociacionin, ose FSK-në, ose ndonjë post ministror”, deklaroi ai.
Megjithatë, Zejna tha se nuk beson se PAN-i do të pranojë çdo kusht të paraqitur nga Lista Serbe.
Duke folur për bllokadë të mundshme institucionale, sikur ajo e zgjedhjeve të kaluara, Zejna thotë se nuk pret që të ketë bllokadë të gjatë.
“Rreziku më i madh është të shkohet sërish në zgjedhje të reja, e cila do të lë pasoja për shkak të mungesës së institucioneve”, mendon Zejna./Mesazhi/