Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zëdhënësi i ush’trisë iz’raelite: Biseda për shkatërrimin e Ha’masit është si të...

Zëdhënësi i ush’trisë iz’raelite: Biseda për shkatërrimin e Ha’masit është si të hedhësh pluhur në sytë e publikut

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka kritikuar lidershipin politik të vendit të tij, duke e përshkruar retorikën për shkatërrimin e Hamasit si mashtruese, transmeton Anadolu.

Duke folur për transmetuesin izraelit Channel 13, Hagari tha se “biseda për shkatërrimin e Hamasit është si të hedhësh pluhur në sytë e publikut”.

“Hamasi është një ide. Ju nuk mund të shkatërroni një ide. Lidershipi politik duhet të gjejë një alternativë, përndryshe ai (Hamasi) do të mbetet”, tha Hagari.

Që nga fillimi i sulmit izraelit në Rripin e Gazës më 7 tetor, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka renditur shkatërrimin e Hamasit si një objektiv kyç, pavarësisht skepticizmit nga analistë ushtarak dhe vëzhgues izraelitë për realizueshmërinë e qëllimit.

Hagari foli edhe për njoftimin e ushtrisë më 8 qershor për lirimin e katër pengjeve në një operacion ushtarak në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, duke theksuar se “nuk është e mundur të lirohen të gjitha pengjet përmes operacioneve ushtarake”.

Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me kundërshtimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.

Të paktën 37.400 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 85.400 të tjerë janë plagosur.

Më shumë se tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në rrënoja në mes të një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet në Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta para se qyteti të pushtohej më 6 maj.

Exit mobile version