Zëdhënësi i hebrenjve ortodoksë kundër sionizmit, rabini Dovid Feldman, lidhur me sulmet e fundit ajrore izraelite mbi Rripin e Gazës ka deklaruar se “Lëvizja Sioniste ka nevojë për luftë në mënyrë që të ekzistojë” dhe se sulmet e fundit izraelite janë “aq identike dhe të ngjashme” me atë që po ndodh atje për shtatë shekujt e fundit, madje edhe më parë.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), rabini i grupit kundër sionizmit, po ashtu i njohur si grupi fetar ‘Naurei Karta International’, tha se “fatkeqësisht, ajo që po shohim në këtë dekadë është se Lëvizja Sioniste Izraelite ka nevojë për sulme kundër tyre, në mënyrë që të justifikojë luftën e tyre kundër popullit palestinez”.
Feldman tha se nuk është çudi ajo që autoritetet izraelite nisën dëbimet në lagjen Sheikh Jarrah për të ndezur zemërim midis palestinezëve.
“Lëvizja Sioniste ka nevojë për luftë në mënyrë që të ekzistojë, ata kanë nevojë për luftë në mënyrë që të fitojnë simpati nga populli hebre”, tha Feldman.
Ai theksoi se ajo që u është bërë palestinezëve është e gabuar, si dhe shtoi se asnjë përparim nuk mund të bëhet nëse keqbërja kundër palestinezëve nuk adresohet.
“Ne jemi kundër gjithë asaj që sionizmi përfaqëson dhe jemi kundër gjithë pushtimit. Kjo është kundër fesë tonë, është kundër drejtësisë, kundër ligjit ndërkombëtar, kundër njerëzimit. Kjo është kundër interesit të popullit palestinez dhe është kundër interesave të popullit hebre në të gjithë botën”, u shpreh Feldman.
Më tej, rabini njoftoi se do të mbajnë disa protesta në New York dhe Washington, por theksoi se forcat pro-izraelite janë përpjekur të shtypin zërin e tyre, duke i censuruar ato në mediat kryesore dhe në ato sociale.
“Ne me krenari kritikojmë Izraelin, atë që është një shkelje e vërtetë dhe ndoshta një shkelje më e madhe e judaizmit.
Që nga java e kaluar, tensionet kanë qenë të lartë në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor kur kolonët izraelitë u futën në zonë pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze.
Palestinezët që protestojnë në solidaritet me banorët e lagjes Sheikh Jarrah janë vënë në shënjestër të forcave izraelite.
Përshkallëzimi rezultoi në sulme ajrore nga Izraeli në Gaza, të cilat martirizuan dhjetëra palestinezë dhe qindra të tjerë plagosën.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar. /aa