Zbulohet se Sisi është nderuar me “medalje nderi” gjatë vizitës në Francë

Zbulohet se presidentit egjiptian i ardhur në pushtet me grusht shteti, Abdel Fattah al-Sisi, është nderuar me medaljen franceze të nderit “Legion d’Honneur”, në rezidencën Elysee në Francë, ku ai realizoi një vizitë zyrtare dhe kjo është fshehur nga shtypi francez, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pamjet e fshehura nga shtypi francez u zbuluan nga Yann Barthes, prezantuesi i programit televiziv Quotidien, i cili ndau videon e publikuar në faqen zyrtare të presidencës së Egjiptit.

Në video është përfshirë pritja e Sisit me tapetin e kuq nga homologu i tij francez, Emmanuel Macron dhe ceremonia zyrtare e zhvilluar në nder të tij.

Prezantuesi Barthes, lidhur me ceremoninë e cila nuk ndodhet në programin zyrtar që Macron ka ndarë me shtypin, është shprehur se kjo është regjistruar vetëm nga kameramani i Sisit.

“Për herë të parë nga faqja e internetit e një regjimi autoritar kemi mësuar përjetimet në Elysee”, tha Barthes, duke theksuar se në takimin i cili u përpoq të mbahej i fshehtë nga francezët, Sisit i është dhënë medalja “Legion d’Honneur”.

Në anën tjetër Barthes, duke paraqitur në ekran edhe pamjet e filmuara nga Egjipti lidhur me takimin e Sisit në bashkinë e Parisit me kryebashkiaken Anne Hidalgo, shtroi pyetjen “Atëherë, përse kryebashkiakja e Parisit nuk ndau videon e takimit që zhvilloi me Sisin?”.

Ai theksoi se në shtypin francez nuk janë paraqitur as pamjet ku Sisi është pritur me një ceremoni ushtarake nga ministrja e Mbrojtjes, Florence Parly.

“Ordre national de la Légion d’honneur”, e cila njihet si një medalje nderi, është pranuar si medalja e nderit e nivelit më të lartë civil e Francës me një ligj që Napoleon Bonaparte ka nënshkruar më 19 maj 1802.

Kjo medalje krahas krerëve të shteteve i jepet edhe shumë personave të fushës politike dhe artistike.

Ish-ministri i Kulturës së Senegalit, Amadou Tidiane Wone, i cili është një prej personave të nderuar me këtë medalje, ia riktheu këtë medalje Francës duke theksuar se nuk mund të mbante të njëjtën medalje me Samuel Paty, i cili u nderua me “Legion d’Honneur” pasi u vra pasi u tregoi nxënësve në Francë karikaturat me përmbajtje ofenduese ndaj profetit Muhammed.

– Protesta për pritjen e Sisit në Francë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, priti me tapetin e kuq në rezidencën Elysee më 7 dhjetor homologun e tij egjiptian Sisi.

Komuniteti ndërkombëtar dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut reaguan për “pritjen e diktatorit Sisi në Francë e cila flet për liritë”.

Pas vizitës, përfaqësues të shumë organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, parlamentarë evropianë dhe deputetë të opozitës franceze u mblodhën dhe protestuan përpara parlamentit kombëtar në Paris.