Zbulohet se kur do të arrijë super-SUV-i i Lamborghinit

Prodhuesi i njohur italian i super-veturave, Lamborghini, vitin e kaluar ka prezantuar konceptin Urus ST-X, super-SUV-i i parë në botën e veturave për gara. Ndërsa tani është zbuluar se kur do të dalë në pista për gara.

Urus ST-X do të arrijë këtë vit dhe këtë e ka konfirmuar për revistën e njohur për automobilizëm “Auto Blog” kreu i departamentit për hulumtim dhe zhvillim në Lamborghini, Maurizio Reggiani, transmeton Koha.net. Ai ka thënë se Urus ST-X do të shfaqet në garën “Lamborghini Super Trofeo Word Finals” e cila do të mbahet nga 31 tetor dhe 1 nëntor në Misan, Itali.

“Do të organizohet garë testuese në të cilën do të prezantojmë formatin”, ka treguar Reggiani.

Lamborghini Urus ST-X nuk do të ketë asnjë përmirësim në motor, që nënkupton se do ta mbajë motorin 4.0-litër V8 Bi-Turbo me kapacitet prej 650 kuajfuqi, të cilin e ka edhe Urusi bazik. Megjithatë, do të jetë më i lehtë, me peshë prej 1,650 kilogramë.

Pavarësisht se versioni ST-X tani është konfirmuar, oferta e Urusit do të zgjerohet. Pritet të vijë edhe versioni hibrid i këtij super-SUV-i.