Policia e Kosovës ka zbuluar një laborator të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve.
Deri te zbulimi i laboratorit ka ardhur pasi Policia më 24 janar ndaloi një automjet në Prishtinë dhe gjeti dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës.
Shoferi me inicialet F.K. u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
E, pas hetimeve, u zbulua një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë.
“Në bastisje u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Rasti po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale.