Shkencëtarët për herë të parë kanë zbuluar një specie të gjallë që mund të shndërrojë energjinë diellore në energji kimike përmes fotosintezës, raporton Anadolu Agency (AA).
Shkencëtarët nga Universiteti Rutgers në New Jersey në SHBA kanë gjetur se ligaveci i detit “Elysia chlorotica”, i cili në veri të kontinentit amerikan gjendet në zonën baticore mes Nova Scotias në Kanada dhe shtetit Massachusetts në SHBA dhe në jug në Florida, mund të bëjë fotosintezë me organele qelizore plastide që përmbajnë klorofil të cilat i merr nga llojet e kafenjta të algave.
Butaku, i cili arrin madhësinë deri në pesë centimetra, i shfrytëzon si panele diellore të vogla miliona organelet plastide që i pranon në zonën e stomakut. Organelet mund ta kryejnë procesin e fotosintezës me qelizat e gjallesës nëse shkëputen nga bërthama qelizore e bimës së cilës i përkasin.
Profesori Debashish Bhattacharya, i cili ka kryesuar studimin, tha se deri më sot nuk është vërejtur ndonjë gjallesë e cila prodhon energji përmes fotosintezës sikurse bimët.
“Ky zbulim aktualizon çështjen e fotosintezës artificiale. Nëse mund të kuptojmë se si ligaveci përdor plastidet e vjedhura dhe të izoluara për të prodhuar karbon pa bërthamën e bimës, atëherë ndoshta ne mund të shfrytëzojmë për të projektuar makina të gjelbra dhe bioenergji”, ka theksuar Bhattacharya.
Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën “Molecular Biology and Evolution”.