Një gërmadhë në Kafr El Sheikh është vendi ku dikur egjiptianët e lashtë vështronin yjet.
Më shumë se 2500 vite më parë, ndërtesa ishte observatori më i madh astronomik në Egjipt në shek. VI para Krishtit, pjesë e asaj që sot njihet si Tempulli i Faraonëve në qytetin e Butos.
Atje, astronomët e hershëm ndiqnin lëvizjet e diellit dhe yjeve që ishin thelbësore për jetën e egjiptianëve. Këta të fundit kanë qenë astronomët më të aftë në antikitet që kanë lënë gjurmë edhe sot.
Kalendari 365-ditor dhe dita 24-orëshe lindën në Egjiptin e lashtë. Egjiptianët përcaktuan yjësitë dhe kishin zodiakun e tyre, disa shenja të të cilit njihen edhe sot.
Objekti i ndërtuar me tulla balte mbulon një sipërfaqe 850 metra katrorë, në formë L-je që mbështetet në shtylla. Hyrja sheh nga lindja. Brenda tij u gjetën artefakte të lidhura me studimin e qiellit.
Një në veçanti ishte një orë e madhe diellore që përmes hijes së diellit nga agimi në muzg mund të ndihmonte në përcaktimin e kohës.
Pesë dhoma më të vogla përdoreshin për të ruajtur mjetet e observatorit. Katër prej tyre ishin me tulla balte dhe njëra me gurë, në të cilën mund të ketë qenë kulla. U gjet gjithashtu edhe një holl i madh, me tre mure të lyera me llaç të verdhë të pikturuar me murale. Në mes të hollit qëndron një platformë guri ku janë gdhendur skena të agimit dhe perëndimit përgjatë tri stinëve.
Në artefakte përfshihen statujat e bronzta të Osirisit dhe Nemesit, një statujë terrakote e hyjnisë Bes dhe një graniti që daton në dinastinë e 26-të që drejtohej nga faraoni Wahibre Psamtik I. Artefakte të tjera janë mjete matëse, statuja, varëse, simbole qeramike, amfora dhe tavolina për kurbane.
Astronomia ishte tepër e rëndësishme për egjiptianët e lashtë. Ata i përdornin kalendarët për të shenjuar kohën, vendosur datat për ritualet politike dhe religjioze si festivalet dhe kurorëzimet. Gjithashtu përmes tij mund të përcaktonin përmbytjet e Nilit dhe lundrimin.