Zbrazën selinë e PS-së dhe dogjën gjithçka, ndërhyjnë “specialet”, gaz lotsjellës në Shkodër

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) u detyruan të hedhin gaz lotsjellës për të shpërndarë një protestë të dhunshme që nisi në mesditë në Shkodër ku dhjetëra të rinj mësynë selinë e Partisë Socialiste duke nxjerrë jashtë të gjitha orenditë e duke u vënë flakën përballë.

 

Në rrugët e qytetit protestuesit u vendosën flakën edhe disa banderolave dhe tabelave të reklamave, ndërsa situata vijon që të jetë e tensionuar. Protesta ka nisur prej orës 11:00 në kryeqendrën e veriut. Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe një ambulancë.

Mësyrja ka ndodhur pak pasi qindra qytetarë të Shkodrës nisën protestat për vrasjen nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Sulmi ka ndodhur kryesisht nga minorenë, ndërsa për rreth 30 minuta në asnjë moment nuk ka pasur ndërhyrje të forcave të policisë për t’i ndaluar, raportojnë mediat në Shqipëri.

Selia e Partisë Socialiste ndodhet në rrugën “Vilson”, përballë Poliklinikës Shëndetësore të qytetit dhe pak më vonë ndërhyri policia me njësinë e FNSH-së.

Në tre ditët e para, që pas vrasjes së të riut janë zhvilluar disa tubime në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Elbasan, Durrës, Lezhë dhe shumë qytete të tjera të vendit.