Zaev ia dorëzoi nënshkrimet presidentit Ivanov

Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, në vilën presidenciale “Villa Vodno” ia dorëzoi presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, me nënshkrimin e 67 deputetëve të partisë së tij, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga kabineti i presidentit të vendit, më herët njoftuan se pas parashtrimit të dëshmisë për sigurimin e shumicës, pritet që presidenti Ivanov të marrë vendim në ditët në vijim.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, para dorëzimit të nënshkrimeve te presidenti i vendit, deklaroi se pret që Ivanov në kohë sa më të shpejtë t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re.

“Kjo është ditë e madhe historike për Republikën e Maqedonisë. Në dorë mbaj 67 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë të cilat garantojnë mundësi për qeveri të re për qytetarët e Maqedonisë. Këto nënshkrime, njëkohësisht mundësojnë që të përfundojë kriza në Maqedoni dhe përfundimisht shteti të lëvizë përpara në funksion të kthimit të jetës në Maqedoni”, deklaroi Zaev.

Zaev porositi të gjithë qytetarët dhe institucionet e shtetit se pason një periudhë e një transferi të qetë dhe të shpejtë të pushtetit në Maqedoni.

Ndryshe, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit presidenti Ivanov ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili në afatin kohor 20 ditësh nuk arriti të formojë shumicë parlamentare, pas së cilës presidenti Ivanov i thirri në konsultime liderët e partive politike që morën mandate në Kuvendin e Maqedonisë.

Pas konsultimeve me liderët politik, presidenti Ivanov deklaroi se “mandatin për formimin e qeverisë së re do ta marrë partia apo koalicioni i cili do të dëshmojë që ka fituar shumicën në Kuvend”, mirëpo i kushtëzoi me dy prioritete, fillimisht mbrojtjen e interesave shtetëtërore, që sipas tij, nënkupton mbrojtjen dhe forcimin e karakterit unitar të vendit, si dhe nën dy reforma sistematike pas krizës në të cilat do të përfshihen subjektet e sistemit për siguri kombëtare.​