Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dje në Tiranë mori pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, transmeton Anadolia Agency (AA).
Në margjina të samitit, dy shefat e qeverive nënshkruan Marrëveshjen për Vendosjen e Kontrolleve të Përbashkëta Kufitare dhe Doganore në Vendkalimet Kufitare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Në një deklaratë për media, Zaev tha se marrëveshja është një hap tjetër në ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilat si miq të mirë dhe fqinjë kanë si përparësi lehtësimin e rrjedhës ndërkufitare në interes të qytetarëve dhe bizneseve të të dy vendeve.
“Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme, ne i japim fund një procesi serioz për të cilin qeveritë tona kanë punuar për të hapur terminalin ‘one stop shop’ ku qytetarët tanë do të përgjysmojnë pritjet e tyre në kalimet e kufijve tanë, por mbi të gjitha, krijojnë kushte për realizimin e katër lirive evropiane për qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve”, tha Zaev në fjalimin e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ndërkaq, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se kjo marrëveshje do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen midis qytetarëve të të dy vendeve.
Ndryshe, samiti që bëri bashkë në takim liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerin Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, kishte në fokus zbatimin e planit ekonomik dhe të investimeve të paraqitur për rajonin nga Komisioni Evropian si edhe rrugën përpara për në samitin e Procesit të Berlinit me udhëheqësit e rajonit. /aa