Ballina Lajmet Maqedoni Zaev dëshiron ta marr me vete në BE traditën e Pehlivanëve

Zaev dëshiron ta marr me vete në BE traditën e Pehlivanëve

radita e pehlivanit është një pasuri e vendit tonë, ndërsa bashkë me pehlivanët rrumbullakojnë mozaikun e traditës dhe kulturës sonë, të cilën si të tillë, do ta bartim me vete në Bashkimin Evropian (BE), deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në manifestimin ndërkombëtar kulturoro-sportiv në mundje, “Tradita vazhdon” i cili tradicionalisht mbahet në Studeniçan të Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbi 200 pehlivanë nga vende të ndryshme, të ndarë në pesë kategori sipas moshës dhe peshës, prezantua traditën shekullore të këtij sporti të mundjes, ndërkohë që pjesë e eventit ishin edhe këngët dhe vallet shqiptare dhe gatimet tradicionale.

Kryeministri Zaev i ftuar në manifestimin në fjalë tha se është i lumtur nga fakti që ka tradita të këtilla të cilat përfaqësojnë dhe prezantojnë vendin anembanë Evropës, ndërsa u shpreh i lumtur që traditat e tilla, do të mund t’i prezantohen Bashkimit Evropian duke garuar me vendet e BE-së, “aty ku në fakt dhe kemi vendin”.

“Ne qytetarët, kemi para vetes një vendim serioz, dhe kemi një shans të papërsëritshëm që kudo që të shkojmë në Evropë, të prezantohemi me këtë pasuri kulturore dhe traditë sportive, por edhe të qëndrojmë krah për krah me shtetet e zhvilluara dhe demokratike evropiane. Më gëzon fakti që të rinjtë po kultivojnë traditën të përcjellë nga prindërit dhe gjyshërit, të cilën si të tillë e kemi në tërë Maqedoninë, prandaj e ndjejmë si obligim t’ia përcjellim gjeneratave pas nesh”, tha kryeministri Zaev.

Kreu i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, organizator i manifestimit në fjalë, tha se sporti i mundjes ka një traditë shekullore në këto treva, i përcjellë gjeneratë pas gjenerate, ndërkohë që u zotua se do të ndihmojë në ruajtjen e tij.

“Përmes sportit dhe kulturës, jo vetëm që ruajmë traditat tona, por edhe afirmojmë vendin tonë anembanë botës”, tha Sadiki, i cili foli edhe për referendumin e 30 shatorit, duke thënë se është një shans historik për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, me çka vlerat kulturore do të mund më lehtë të prezantohen para botës.

Pjesë e manifestimit ndërkombëtar “Tradita vazhdon” është edhe karakteri kulturor i tij, ku u performuan këngë dhe valle shqiptare, si dhe gatime të kësaj treve.

Turneun tradicional e nderuan shumë personalitete nga jeta publike, sportive, kulturore dhe politike.

Këtë vit, vendin e parë në manifestimin tradicional në mundje e fitoi, Serkan Üğdüler nga Turqia, vendin e dytë Orhan Imeri nga Maqedonia dhe vendin e tretë Samir Ibrahimi po ashtu nga Maqedonia.

Exit mobile version