Ballina Jeta Shëndetësi Yndyrat e mira dhe të këqija

Yndyrat e mira dhe të këqija

Trupi ka nevojë për disa lloje të yndyrave për ndërtimin e membranave qelizore, funksionimin e duhur të sistemit nervor dhe absorbimin më të mirë të vitaminave të ndryshme, si D dhe K. Jo të gjitha yndyrat janë të shëndetshme. Disa yndyra në sasi të gabuara mund ta dëmtojnë seriozisht shëndetin

Yndyrat ushqimore klasifikohen në këto tri kategori.

Yndyrat e ngopura

Ushqimet me origjinë shtazore janë burimi kryesor i këtyre yndyrave, ndërsa shumicën do t’i gjeni në mish, produkte të qumështit me yndyrë dhe, në sasi të moderuar, në vezë dhe shpezë. Disa vajra bimore, si vaji i palmës, gjithashtu përmbajnë yndyra të ngopura.

Ato janë të nevojshme për ta ruajtur shëndetin e organizmit, por në sasi të vogla. Më pak se 10 për qind e konsumit të përgjithshëm të kalorive duhet të vijë nga yndyrat e ngopura, dhe atë nëpërmjet produkteve të përpunuara të qumështit. Për personat të cilët konsumojnë 2.000 kalori në ditë, konsumi maksimal i yndyrave të ngopura është 20 gramë.

Yndyrat e pangopura

Këto yndyra të mira janë ato që më së shumti duhet konsumuar. Ka dy lloje të yndyrave të pangopura: poli-të-pangopura dhe mono-të-pangopura.

Lajthitë, bajamet, farat e susamit dhe farat e kungullit, vaji i ullirit, vaji i kikirikut dhe kanola janë burimet më të mira të yndyrave mono-të-pangopura. Peshku, farat e lirit, vaji i lirit, vaji i sojës dhe lulediellit janë burimet më të mira të yndyrave poli-të-pangopura.

Acidet yndyrore omega 3 u përkasin yndyrave poli-të-pangopura, ndërsa shumicën prej tyre do t’i gjeni në peshkun si salmoni dhe sardelet, si dhe ushqimet me origjinë bimore (vaji i sojës dhe vaji i kanolës, arrat dhe farat e lirit).

Trans-yndyrat

Këto janë yndyrat të cilat sigurisht ju tërheqin më së shumti, por edhe janë më të dëmshmet. Shumica e trans-yndyrave janë në gjendje të lëngshme në temperaturë dhome, dhe për të qenë dhe për të mbetur në një gjendje të tillë, prodhuesit në to shtojnë hidrogjen.

Niveli më i lartë i trans-yndyrave gjendet në produktet e brumërave, produktet me origjinë shtazore dhe në margarinë.

Efekti i yndyrave të pashëndetshme

Konsumi i ushqimeve të pasura me yndyra të ngopura (mishi i viçit, majoneza, produktet e qumështit me yndyrë të plotë) në trupin tuaj ndikojnë në këto mënyra:

– Rritet niveli i triglicerideve, dhe në këtë mënyrë edhe rreziku i presionit të lartë të gjakut, diabetit dhe sëmundjeve të zemrës;
– Bllokimi i enëve të gjakut;
– Nivelet e larta të shtypjes së gjakut;
– Nivelet e larta të kolesterinës së keqe (LDL).

Edhe pse trans-yndyrat vijnë kryesisht nga ushqimet me prejardhje bimore, në shëndet ato veprojnë më keq krahasuar me yndyrat e ngopura. Për këtë arsye, shumë restorante më nuk përdorin trans-yndyra dhe çdo produkt në treg duhet ta ketë të shënuar në etiketë edhe përqindjen e trans-yndyrave.

Efekti i mirë i yndyrave

Me rritjen e konsumit të yndyrave të pangopura, ulet niveli i kolesterinës së keqe (LDL) dhe trigliceriteve, duke zvogëluar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Studimet kanë treguar se zëvendësimi i karbohidrateve të dëmshme (buka e bardhë dhe orizi i bardhë) me ushqime të pasura me yndyra të pangopura ul nivelin e kolesterinës së keqe (LDL) dhe njëkohësisht rrit nivelet e kolesterinës së mirë (HDL).

Yndyrat e pangopura do të:

– rregullojnë nivelin e presionit të gjakut,
– ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës,
– rregullojnë nivelin e lipideve.f

Exit mobile version