Sipas një studimi të ri me konsumuesit më të mëdhenj të qumështit dhe nënprodukteve të tij, ata që konsumojnë më shumë yndyrë bulmeti janë më pak të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare.
Një ekip i shkencëtarëve e studiuan konsumimin ditor të yndyrës së qumështit dhe të nënprodukteve të tij nga 4.150 persona të moshës 60-vjeçare në Suedi, një ndër shtetet me konsumimin më të madh të nënprodukteve të qumështit, duke ua matur nivelin e një acidi të posaçëm yndyror në gjak, që gjendet kryesisht në ushqimet e bulmetit.
Më pas, shkencëtarët e përcollën gjendjen e grupit të të moshuarve për mesatarisht 16 vjet për të parë se sa prej tyre kanë pësuar sulme në zemër dhe zhvillime tjera serioze në qarkullimin e gjakut dhe sa prej tyre kanë vdekur.
Pas përshtatjes së statistikave për faktorët tjerë të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare si mosha, të ardhurat, stili i jetesës, shprehitë e ushqyerjes dhe sëmundjet tjera, hulumtuesit zbuluan se personat që kishin nivel më të lartë të acidit yndyror – tregues i konsumimit më të shumtë të yndyrave të bulmetit – ishin më së paku në rrezik nga sëmundjet kardiovaskulare si dhe mungesë të rritjes së rrezikut për të vdekur nga të gjitha shkaqet.
Ekipi i konfirmoi të gjeturat në popullsi të tjera pas kombinimit të rezultateve me 17 studime të tjera me gjithsej gati 43.000 njerëz nga Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Britania e Madhe, shkruan CNN.
“Studimi ynë sugjeron se ulja e konsumimit ose shmangia e plotë e yndyrës së bulmetit mund të mos jetë zgjedhja më e mirë për shëndetin e zemrës. Duhet mbajtur mend se ndonëse këto produkte janë të pasura me yndyra të ngopura, ato gjithashtu janë të pasura me vlera tjera ushqyese dhe mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme”, tha Kathy Trieu, hulumtuese në Institutin George dhe njëra ndër autoret e studimit.