Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ka kohë që është fokusuar te ”Zajednica” dhe demarkacioni me Malin e Zi, duke i lënë anash Trepçën, e cila po bëhet një relikt e jo një proces i zhvillimit.
Ymeri në një konferencë për medie tha se Trepça vazhdon të rrezikohet nga keqqeverisja. Sipas tij, moskokëçarja nga ana e Qeverisë vazhdon ta mbaje Trepçën peng.
“Ligji për Trepçën nuk është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës. Qeveria nuk e ka shqyrtuar përmbajtjen e ligjit. A do të thotë kjo se ata nuk kanë vendosur që Trepça të jetë ndërmarrje publike?”, tha ai.
Ai shtoi se ky ngurrim për Trepçën po i kushton Republikës së Kosovës dhe nëse vazhdon të lihet kështu, Trepça do të bëhet relikt dhe jo një proces i zhvillimit.