Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se arrestimi i Nehat Thaçit shpërfaqë edhe një herë nënshtrimin politik të Republikës së Kosovës karshi Serbisë.
Ymeri thekson se në njërën anë, Serbia arreston drejtorin e Policisë së Kosovës, e në anën tjetër, Qeveria e Kosovës flet për marrëdhënie të mira me Serbinë.
Lexoni të plotë postimin e Ymerit në Facebook:
“Arrestimi i Drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçit, shpërfaqë edhe një herë nënshtrimin politik të Republikës së Kosovës karshi Serbisë. Në njërën anë, Serbia arreston Drejtorin e policisë së Kosovës, e, në anën tjetër, Qeveria e Kosovës flet për marrëdhëniet e mira me Serbinë.
Isa Mustafa po hesht duke besuar që heshtja e tij e zbut Serbinë. Duke heshtur kemi rënë kaq poshtë. Nëse vazhdohet me heshtje, edhe arrestime tjera do të pasojnë. Zaten, kur nuk ia kërkon Serbisë dëmshpërblimin për luftën ajo t’i vazhdon dëmtimet edhe në paqe.
Është e qartë që sa më të përulur ndaj Serbisë dhe sa më zemërgjerë ndaj kërkesave të saj, aq më e egër dhe insistuese bëhet ajo. Nuk ka normalizim të marrëdhënieve e as marrëveshje me Serbinë pa e njohur njëherë ajo pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës e ka vetëm një rrugë: atë të kushtëzimit të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës ndaj Serbisë me secilën levë kushtëzimi që e kemi në dorë (si p.sh. ndalimi i çfarëdo marrëdhënie ekonomike e tregtare prej të cilave Serbia nxjerrë përfitime të mëdha e Kosova pëson humbje të mëdha).
Rruga e Qeverisë është e kundërt: Kosova koncesione politike e ekonomike Serbisë, e Serbia arrestime dhe akuza për terrorizëm ndaj Kosovës”.