Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, në një publikim të vetin në Facebook, ka bërë shumë vërejtje në Projektligjin për Trepçën që sot priret të dalë për votim në Kuvendin e Kosovës.
Lidhur me këtë, ai ka shfaqur këto pikëpamje:
Projektligji për Trepçën i propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka një mori problemesh. Si i tillë ai duhet ndryshuar. Përndryshe nuk e shpëton Trepçën. Ose më mirë thënë e nxjerrë atë nga likuidimi për ta privatizuar.
Me këtë ligj Trepça nuk bëhet e Republikës së Kosovës por vendoset, siç thuhet aty, në pronësi të Qeverisë, ndërkohë që 20% të aksioneve në pronësi të punëtorëve. E Qeveria me ligjin e propozuar na tregon se synim ka privatizimin. Të gjitha modalitetet investuese në Trepçë që parashihen me ligj janë modalitete privatizuese (pak ka rëndësi se në çfarë shkalle dhe me çfarë shpejtësie).
Për më tepër vendimet për këto modalitete privatizimi nuk merren në Kuvend por nga Bordi Mbikëqyrës bashkë me Qeverinë. Kështu nga Kuvendi sot kërkohet që ta përjashtojë veten nga vendimmarrja për Trepçën.
Ligj për Trepçën gjithsesi se duhet. Në asnjë mënyrë nuk bën ta lëmë Trepçën nën kërcënimin për likuidim ku e kanë vendosur po këto institucione me ligjin e kaluar për Ndërmarrjet e veçanta. Por ky Ligj për Trepçën që do ta bënte atë të Republikës së Kosovës dhe në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit tonë, duhet domosdoshmërisht ta transformojë Trepçën në ndërmarrje publike të veçantë, e cila do ta gëzonte këtë status të veçantisë karshi prioriteteve të investimeve publike për rimëkëmbje e rritje të prodhimit e të punësimit, dhe vendimet për të cilën domosdoshmërisht do të merreshin me shumicë të kualifikuar të votave të deputetëve (dy të tretat e Kuvendit). Ndryshe nuk po e shpëtojmë Trepçën. Ose po e shpëtojmë nga likuidimi për ta shthurë e shpërbërë vet.