Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri së bashku edhe me Albin Kurtin, Aidë Dërgutin, Shpend Ahmetin dhe zyrtarë të tjerë të partisë kanë nderuar dëshmorët e Prekazit në 19 vjetorin e rënies.
Pas homazheve në varreza, siç raporton KP, delegacioni i VV-së është pritur në kullën e Jasharëve nga përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari.
Kryetari i VV-së pasi që bëri homazhe tha se kjo ditë është e veçantë për ta nderuar familjen Jashari, ngase sipas tij, në këtë familje ka ndodhur një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe një sakrificë e cila është e papërsëritshme në historinë e kombit shqiptar.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një prej ngjarjeve më të rëndësishme që e ka pasur kombi shqiptar, e cila përmes organizmit popullor e ka dëshmuar se sa i madh është vullneti për liri dhe se sa e rëndësishme është angazhimi për të mirën e përgjithshme. Ndërkohë, që brenda kësaj ushtrie çlirimtare, natyrisht se familja Jashari një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe është një sakrificë e cila është e pa përsëritshme në historinë tonë. Në këtë drejtim mendojë që rezistenca, beteja dhe sakrifica e familjes Jashari është një gjë të cilën ne kurrë nuk duhet ta harrojmë”, tha Ymeri duke shtuar se sakrifica e tyre e solli këtë liri që sot populli e gëzon.
“Unë nuk mendoj që kjo Kosovë që po e ndërtojmë sot nuk është në përputhje me idealin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… këta politikanët tanë institucional e shndërruan Kosovën në një plaçkë të cilën vazhdimisht e keqpërdorën për interesa të veta”, tha ai.