Ballina Lajmet Kosovë Ymeri e konsideron brutale ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve në Mushtisht

Ymeri e konsideron brutale ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve në Mushtisht

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka dënuar intervenimin brutal të Policisë së Kosovës ndaj banorëve të Mushtishtit dhe të Gjakovës gjatë protestës së sotme, që u mbajt atje për t’ua pamundësuar serbëve të zhvendosur që ta vizitojnë kishën në këtë fshat.

“E dënoj fuqishëm intervenimin brutal të Policisë së Kosovës ndaj banorëve të Mushtishtit dhe të Gjakovës të organizuar në protestë. Banorët e Mushtishtit dhe të Gjakovës kanë plotësisht të drejtë në shqetësimet që po i ngrenë përmes protestës. Kriminelët e luftës të policisë e ushtrisë së Serbisë që vranë, masakruan, dhunuan e shkatërruan jetën e pasurinë e tyre nuk duhet të ecin të lirë nëpër rrugë. Ndërkohë që kthimi i serbëve të Kosovës për të jetuar në vendin e tyre nuk bën të instrumentalizohet nga Serbia për qëllimet e veta koloniale”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen të jetojnë në vendlindjen e tyre, në pronën e tyre, në fshatin e qytetin e Kosovës ku kanë jetuar më parë. Kjo është e drejtë universale e mirënjohur ndërkombëtarisht që secili e gëzon pa dallim kombësie a feje. Këtu nuk ka dyshim. Por duhet të shihet se kur e kanë fituar këtë pronë dhe si. A është kjo pronësi rezultat i kolonizimit, apo është përfituar pa ndërhyrje koloniale”, ka shtuar Ymeri.

“Ne as nuk kemi pasur e as nuk kemi problem me serbët, por kemi pasur e kemi problem me Serbinë. Ky kthim i serbëve nuk bën të udhëhiqet nga Serbia, dhe nën kushtet e saj. Banorët e Mushtishtit janë të shqetësuar se kthimi i serbëve në pjesë të caktuara të fshatit ka për qëllim ndarjen e një pjese të Mushtishtit për ta zgjeruar kështu kufirin e ‘Zajednicës’. Ngjashëm me kërkesën për komunë të Prilluzhës. Serbia do t’i kthejë serbët aty ku i leverdis planeve koloniale të saj, për t’i shndërruar kështu të kthyerit në instrument politik që ia gërmon bazën Republikës së Kosovës. Serbët duhet të kthehen si qytetarë të barabartë e lojalë ndaj Republikës e jo si subjekte të strukturave paralele të ‘Zajednicës’”, e ka përfunduar postimin e tij kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Exit mobile version