Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım lidhur me vendimin e SHBA-ve për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit tha se “Ky vendim është një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve për paqe mes Palestinës dhe Izraelit si dhe ndaj procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Me këtë vendim në rajon është hapur kutia e Pandorës”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Yıldırım në një deklaratë me shkrim ka raguar kundër vendimit të SHBA-ve për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
“Është hapur kutia e Pandorës”
Duke theksuar se ky vendim është i pavlefshëm për Turqinë, Yıldırım tha se: “Shpallja e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit nga presidenti i SHBA-së dhe hapat e ndërmarra në lidhje me këtë janë të pavlefshme për Republikën e Turqisë. Ky vendim është një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve për paqe mes Palestinës dhe Izraelit si dhe ndaj procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Me këtë vendim në rajon është hapur kutia e Pandorës”.
“Dënoj fuqishëm”
Ai tha se dënon fuqishëm vendimin e marrë. “Ky vendim, i cili do të eliminojë rrënjësisht paqen në Palestinë dhe në Lindjen e Mesme, është marrë me shqetësime politike dhe është plotësisht një shembull i papërgjegjësisë. Dënoj fuqishëm ata të cilët e morën këtë vendim. Ashtu si çdo herë, ka një rëndësi jetike që të respektohet dhe të mos bëhet fakt i kryer statusi i të gjithë objekteve fetare në Jerusalem, duke filluar nga Mesxhid-i Aksa”, tha Yıldırım.
“Do të organizohet Samiti i OBI-t”
Kryeministri Yıldırım vuri në dukje se më 13 dhjetor do të mblidhet Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI). “Turqia, si kryesuesi aktual ka marrë vendim që më 13 dhjetor të organizojë Samitin e OBI-t. Çështja do të diskutohet me liderët e botës islame, në të gjitha dimensionet e saj dhe do të vendoset për hapat përkatëse që duhet të ndërmerren”, tha ai.