Yildirim: Faqe e re në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-ve

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi se metodat e luftës kundër terroristëve në qytetin sirian Raka do të jenë thuajse të njëjta me ato në Al-Bab, raporton Anadolu Agency (AA).

Yildirim në ditën e fundit të Konferencës së 53-të të Sigurisë në Mynih kujtoi se më herët është takuar me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pance me të cilin bisedoi për luftën kundër DEASH-it, por edhe për ekstradimin e liderit të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen.

Kur është fjala për ekstradimin e Gylenit, Yildirim shtoi se në takimin është thënë se zyrtarët amerikanë seriozisht do të merren me këtë çështje, që sipas kryeministrit turk, është një moment i ri.

Ai përsëriti edhe qëndrimin e Turqisë kur është fjala për PYD/YPG, degën siriane të organizatës terroriste PKK. “Nuk është metodë e duhur përdorimi i PYD/YPG në luftën kundër DEASH-it. Nuk është gjë e duhur heqja e një organizate terroriste me ndihmë të një tjetre”, thekson Yildirim.

Sipas tij, Turqia edhe pas çlirimit të Al-Babit nga terroristët, do të ndihmojë në vazhdimin e luftës kundër organizatës terroriste DEASH me kusht që në këto aksione të mos përfshihen disa organizata tjera terroriste si YPG.

Kryeministri turk u përqendrua edhe në situatën në Munbixh dhe shtoi se qëllimi i Turqisë është shumë i qartë dhe se Munbixhi duhet të çlirohet nga pjesëtarët e PYD-së. “Stili jonë i luftës në Raka do të jetë thuajse i njëjtë si në Al Bab. Në terren kemi ushtarë të cilët ofrojnë mbështetje Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS). Me siguri ata do të ofrojnë mbështetje. Me administratën amerikane hapim një faqe të re”, tha Yildirim.

Po ashtu, ai tha se negociatat në Astana për krizën në Siri nuk janë alternativë për Gjenevën, por është hapi i parë dhe nevojitet të arrihet zgjidhje e përhershme politike në të cilën do të përfshihen të gjitha palët, duke përfshirë Kombet e Bashkuara.

Kryeministri i Republikës së Turqisë tha se Al Bab është vënë nën kontroll dhe se po bëhet pastrimi i tjj nga terroristët, ndonëse ekzistojnë disa vështirësi të caktuara. “Nën tërë qytetin ekzistojnë tunele, paraqiten sulmues vetëvrasës me bomba, nuk është le ehtë, por rrugët për furnizimin e terroristëve janë ndërprerë. Kjo është me rëndësi”, deklaroi Yildirim.

Duke u përqendruar në referendumin për reformat kushtetuese në Turqi i cili do të mbahet më 16 prill, Yildirim tha se qytetarët duhet të vendosin për sistemin që dëshirojnë. “Nuk kam parë deri më sot që populli të marrë vendime të gabuara. Nëse politikanët gabimisht vendosin, populli e korrigjon”, shtoi Yildirim.