Kompania e njohur japoneze e motoçikletave, Yamaha, e cila pretendon se ka krijuar biçikletat elektronike qysh në vitin 1993, ka përgatitur modele të reja.
Aktualisht në dispozicion janë katër modele të reja. I pari është CrossCore, një biçikletë hibride për rrugë me performancë të lartë si dhe me kornizë trekëndëshe dhe dorezat e rrafshëta. Biçikleta CrossConnect te rrota e pasme ka të vendosur mekanizmin i cili mund të përdoret për të vendosur gjëra ndryshme (mund të përdoret si bagazh), si dhe në të mund të ulet edhe një person. Modeli i tretë quhet UrbanRush, i cili përshkruhet si një biçikletë e përkryer urbane me goma shumë të holla dhe shumë praktike për qytetet me komunikacion të dendur. Sa i përket modelit të katërt, YDX Torc, ajo është një biçikletë me goma të trasha e cila është gjithnjë e gatshme për të gjitha terrenet.
Të gjitha këto katër modele vijnë me njësinë PW Series Drive, e cila është e kombinuar me baterinë litium-jon prej 500 Wh. Tre biçikletat për qytet kanë motorin elektrik PWSeries SE, ndërsa modeli malor ka motor PW-X, me njësinë më të lehtë dhe asistencë shtesë. Rregullimi i asistencës i mundëson përdoruesit të zgjedhë sa ka nevojë për ndihmë nga motori elektrik.
Duke pasur parasysh se këto biçikleta janë pjesërisht “vetura” elektrike, e-biçikletat e Yamahas kanë të integruar edhe senzorin për shpejtësinë i cili shfaqet në ekranin LCD si dhe numrin e kilometrave të kaluara dhe kapacitetin e baterisë. Bateria mund të vendoset në biçikletë ose të hiqet dhe të karikohet me anë të karikuesit të shpejtë të Yamahas. Karikimi i baterisë përmes përdorimit të prizave standarde zgjat katër orë.
Modeli CrossCore kushton 2,399 dollarë, ndërsa çmimi rritet deri në 3,499 dollarë për modelin YDX Torc.