Udhëtimi drejt lumturisë, është një udhëtim, i cili ka si objektiv kryesor arritjen e asaj që kërkojnë të gjithë njerëzit, lumturinë. Secili prej nesh kërkon të jetojë një jetë të lumtur e të qetë. Të shumtë janë njerëzit, të cilët vuajnë nga stresi, ankthi dhe depresioni. Të shumtë janë njerëzit, të cilët kanë halle, brenga dhe ndihen të trishtuar. Shumë njerëz kanë probleme ekonomike, janë të papunë dhe nuk kanë përkrahje.
Në një situatë të tillë, shtrohet pyetja: A është e mundur të jetojmë të lumtur e të qetë? A është e mundur që njeriu të jetojë i lumtur në këtë botë plot halle? A është e mundur të arrihet lumturia duke e ndihmuar njëri-tjetrin me ide, duke forcuar lidhjet me Zotin, duke ndryshuar mënyrën e të menduarit, me një forcë shpirtërore të re etj… të cilat na ndihmojnë të kapërcejmë problemet dhe vështirësitë? Si mund të ndihemi të lumtur në këtë botë? A ekzistojnë mënyra dhe rrugë që na çojnë drejt lumturisë? A ekziston ndonjë çelës magjik për këtë? A ekzistojnë rreze drite të përcaktuara nga profeti Muhamed (a.s.)?
Udhëtim drejt lumturisë, përbëhet nga dy fjalë kryesore: udhëtim dhe lumturi. Me fjalën udhëtim, kemi si qëllim udhëtimin e jetës së secilit prej nesh. Realiteti i këtij udhëtimi është distanca e tij shumë e shkurtër. Hallet, brengat dhe vështirësitë nuk kanë përse të na bëjnë të mos e marrim parasysh distancën e shkurtër të këtij udhëtimi. Këtë udhëtim, jetën tonë, duhet ta shohim në përmasat e tij të vërteta dhe jo në përmasat e tepruara. Udhëtimi ynë përgjatë jetës, është shumë i shkurtër, përfundon shumë shpejt.
Sipas një mendimi, njeriu jeton pesë jetë:
Jeta e parë, është ajo në botën e modelimit. Kjo është jeta kur njeriu u modelua për herë të parë si krijesë, është ajo që ceket në Kuran ku thuhet: “Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je”. (Araf, 172)
Jeta e dytë është ajo e kërbishtit, ku njeriu kalon nga një kërbishte në një tjetër, nga Ademi (a.s.) deri tek ti.
Jeta e tretë është ajo që kalon në këtë botë, gjashtëdhjetë apo tetëdhjetë vitet që do të jetosh mes njerëzve.
Jeta e katërt është ajo e varrit, që nga vdekja deri në ringjallje. Varri do të jetë ose një lulishte xheneti, ose një gropë zjarri.
Jeta e pestë dhe e fundit, është ajo e përjetësisë, në xhenet ose në xhehenem.
Nga këto pesë jetë, ajo më e shkurtra është jeta e kësaj bote, mesatarja e të cilës është tek të gjashtëdhjetat. Kurse jeta më e gjatë nga të pestat, është ajo në xhenet.
Për këtë, ne duhet ta kemi parasysh se ky udhëtim është shumë i shkurtër dhe se shpërblimi në fund të tij është i madh. Nëse kënaqësitë e kësaj bote, sado qofshin ato dhe sado gjatë të jetosh, vihen përballë atyre të xhenetit të përjetshëm, nuk kanë asnjë vlerë.
Përveçse jeta në këtë botë është e shkurtër, ajo përbëhet nga malore dhe tatëpjeta të shumta.
Sirrij ibnu Muhaled ka transmetuar se i dërguari i Zotit (a.s.) i tha një ditë Ebu Dherrit: “Nëse do të niseshe për një udhëtim, a do të përgatiteshe më parë?”. Ai iu përgjigj: “Po o i dërguari i Allahut”. Profeti (a.s.) i tha: “Nëse përgatitesh për udhëtimet e kësaj bote, po për udhëtimin drejt botës tjetër?!” Mandej shtoi: “A të rrëfej diçka të dobishme për atë Ditë?” Ebu Dherri iu përgjigj: “Po o i dërguari i Allahut”. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro një ditë të nxehtë, që ta freskosh ditën e ringjalljes, fal dy rekate në errësirën e natës, që të lehtësosh errësirën e varrit, bëj Haxhin, jepi sadaka një të vobekti, thuaj një fjalë të drejtë ose hesht në raste sherri.”
Jeta e kësaj bote është shumë e shkurtër, kur shihet nga lart. Sado i vështirë qoftë rrugëtimi i saj, do të duket shumë i lehtë.
Profeti Muhamed (a.s.) kishte një deve, të cilën e thërriste Kasva, pasi ishte shumë e shpejtë dhe asnjë deve tjetër nuk ia kishte kaluar gjer atëherë. Një ditë, asaj ia kalon deveja e një beduini. Sahabëve të Profetit (a.s.) u erdhi shumë rëndë nga një gjë e tillë. Duke e parë reagimin e tyre, Profeti (a.s.) u tha: “Zoti e ka bërë ligj që çdo gjë të cilën e ka ngritur dhe i ka dhënë vlera në këtë botë, në të njëjtën kohë e ka ulur dhe përbuzur në një krah tjetër.”
Te Zoti, kjo dynja nuk ka vlerë as sa krahu i një mushkonje. Merre krahun e një mushkonje pasi ta kesh vrarë dhe shihe me sy, vallë sa është hisja jote nga krahu i saj? Gjithmonë shihe botën në përmasat e saj të vërteta. Sado të mëdha të jenë hallet dhe problemet e tua në këtë botë, mos i ekzagjero, por shihi në përmasat e tyre reale.
Kështu, realiteti i parë i këtij udhëtimi (jetës në këtë botë) është se vuajtjet dhe gëzimet në këtë botë, janë shumë të shkurtra. Ne duhet të ndërgjegjësohemi për këtë dhe të jetojmë me këtë logjikë. Sado i lodhur dhe i dërmuar të ndihesh, gjithçka do të përfundojë shumë shpejt. Njëqind vjet më parë, asnjë nga njerëzit që të rrethojnë nuk ekzistonte. Njëqind vjet më pas, asnjë nga njerëzit që na rrethojnë nuk do të ekzistojë. Çdo njëqind vjet, toka e ndryshon koren e saj.
Realiteti i dytë, ka të bëjë me nocionin e lumturisë. Vallë ku gjendet lumturia e plotë?
Që në fillim, themi se në këtë botë askush nuk mund të jetojë i lumtur përgjithmonë. Çdo lëvizje e jona në këtë botë, bëhet me qëllim që të fitojmë lumturinë. Vlera e parave matet nga lumturia dhe gëzimi që na falin. Dashurinë, fëmijët, karrierën etj… i duam pasi mendojmë se na bëjnë të lumtur. Por, lumturia e plotë dhe e përsosur nuk ekziston në këtë botë. Lumturia e plotë dhe e përsosur ekziston vetëm në xhenet. Kjo botë nuk është gjë tjetër veçse një testim, me anë të cilit përzgjidhen njerëzit që e meritojnë xhenetin.
Zoti thotë në Kuran: “Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’i shpiem në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë vazhdimisht e përgjithmonë. Ky është premtimi i vërtetë i Allahut. E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?!” (Nisa, 122)
“Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh.” (Teube, 72)
Transmetohet nga Ibnu Mesudi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Xheneti është më pranë besimtarit, se ç’janë lidhëset e këpucës së tij.” (Buhari)
Udhëtimi ynë drejt xhenetit është i vërtetë dhe besimtari kurrë nuk duhet të dyshojë. Stacioni i fundit i këtij udhëtimi është xheneti i amshuar.
Udhëtimi ynë drejt lumturisë, i përngjan një anijeje, e cila lë bregun dhe fillon të humbasë në horizont. Ajo kalon nga detet në oqeane mes stuhive e rrebesheve. Por, në një çast, marinarët dallojnë bregun e synuar. Momenti më emocionues i udhëtimit në det, është ai kur dallon bregun nga larg, shikon dritat, anijet e ankoruara, marinarët që rendin lart e poshtë… Në ato çaste, marinarët e rraskapitur nga mundi, harrojnë çdo vuajtje dhe lodhje. Pak a shumë, të tilla janë edhe emocionet kur do të shohim xhenetin për herë të parë.
Për këtë, unë mendova që temën e parë, t’ia dedikoj xhenetit dhe udhëtimit drejt tij. Edhe pse jemi larg xhenetit, unë do të përpiqem t’jua afroj atë, t’jua sjell sa më pranë, që t’i dalloni disa konture të tij, të fantazoni dhe ta shpresoni.
“Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” (Mulk, 2)
Imagjinoni në këto çaste udhëtimin që na duhet për të mbërritur në xhenet. Pasi kemi kaluar testin e fluturimit të librave të veprave dhe na ka ardhur në dorën e djathtë, menjëherë nisemi për t’i peshuar këto vepra. Pasi kalojmë edhe testin e peshimit të veprave, ku veprat e mira kanë peshuar më shumë, kalojmë urën e Siratit. Me kalimin e urës së Siratit, do të përballemi me derën e xhenetit. Kur e pyetën një të ditur se kur do të ndihet njeriu i qetë Ditën e Kiametit, ai u përgjigj: “Kur ta ketë lënë Siratin pas shpine”.
Mbylli sytë për disa çaste dhe imagjinoji ato çaste. A e sheh sa e madhe është dera? A i sheh ngjyrat e saj të bukura? Aty do t’i shohësh të gjithë të grumbulluar për të hyrë në xhenet. Aty do të jetë Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu. Aty do të shohësh Fatimen dhe Merjemen (a.s.). Patjetër që do të dallosh dhe Ibrahimin (a.s.), babanë e profetëve. Diku aty pranë janë dhe Musai (a.s.) e Isai (a.s.). Ndërkohë që profetin Muhamed (a.s.) e sheh duke ardhur drejt derës me nxitim për ta hapur.
Me kë do të doje të ishe në ato çaste? Vdekja të ka ndarë nga familja dhe tashmë hap sytë nga prindërit, fëmijët, gruaja dhe vëllezërit e motrat.
Atë ditë, për herë të parë do të shohësh melekët dhe vetë Xhibrilin (a.s.). Melekët do të të urojnë mirëseardhjen te porta e xhenetit. Nëse festimet e kësaj bote kanë qenë madhështore, çfarë mund të themi për festën e asaj dite?
“Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: ‘Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!’” (Zumer, 73)
Njerëzit do të jenë të rreshtuar para derës së xhenetit. Nëse një njeri është vendosur gabimisht në rreshtat e fundit, vetë Profeti (a.s.) do të shkojë tek ai, do ta kapë për dore dhe do t’i thotë: “Ti nuk e ke vendin këtu, por në rreshtat e parë. Ti u ke ofruar ndihmë jetimëve në dynja dhe shpërblimi i kësaj vepre është të qëndrosh pranë meje. Ti o motër myslimane ke pasur morale shumë të larta në dynja, pasi kishe dëgjuar një hadith timin: “Njeriu që do jetë më pranë meje, është ai që ka pasur moralin më të lartë.”
Në çast do ta shohësh veten të rrethuar nga gratë më të lavdishme dhe më të ndershme, gratë e Profetit (a.s.) dhe të sahabëve të tjerë.
Kur të vijë çasti për të hapur portën e xhenetit, profeti Muhamed (a.s.) do të shihet duke çarë rreshtat, derisa të arrijë te porta. Ai do të trokasë dhe nga brenda do të dëgjohet zëri i melekut rojë: “Kush është?” Profeti (a.s.) do të përgjigjet: “Muhamedi, biri i Abdullahut.” Meleku nga brenda do të përgjigjet: “Më ka urdhëruar Zoti që të mos ia hap këtë portë askujt tjetër veç teje.”
Profeti (a.s.) mbi derën e xhenetit: “Dera e xhenetit do të jetë sa distanca mes Mekës dhe Sirisë, e megjithatë njerëzit do të shtyhen për të hyrë.”
Me tu hapur porta, njerëzit do të nuhasin aromën e xhenetit. Po ti, o vëlla dhe oj motër, a ju ka ndodhur që ta nuhasni aromën e xhenetit që në këtë botë? Profeti (a.s.) ka thënë: “Aroma e xhenetit nuhatet që prej pesëqind vitesh largësi.”
Para se njerëzit të hyjnë në xhenet, Zoti do t’u flasë pa ndërmjetës. Para se të vendosësh këmbën në xhenet, do të dëgjosh zërin e Zotit: “O banorët e xhennetit, nga Unë do të keni katër gjëra: Do të jetoni dhe nuk do të vdisni, do të jeni të shëndetshëm dhe nuk do të sëmureni, do të jeni të rinj dhe nuk do të plakeni, dhe do të jeni të lumtur dhe nuk do të hidhëroheni.”
Menjëherë pas kësaj, njerëzit do të lahen në Lumin e Jetës. Ai është një lumë, i cili do t’i pastrojë nga çdo ndjenjë negative, urrejtja, smira dhe xhelozia.
“Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj…” (Araf, 43)
“Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe!” (Vakia, 25-26)
Vallë çfarë do të bësh me të hyrë në xhenet? Kur pyeta një të ri, ai mu përgjigj: “Me të hyrë në xhenet, do të filloj të vrapoj nga të mundem.” Dikush tjetër mund të fillojë të kërkojë nënën, fëmijët, gruan dhe njerëzit e tjerë të dashur.
Thotë Zoti në një hadith kudsij: “Kam përgatitur për robërit e mi të mirë, gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as në mendje nuk i ka vajtur kujt.”
Nëse një fëmijë i vogël të thotë që do të të japë një shumë të madhe të hollash, secili prej nesh e kupton se shuma mund të jetë maksimumi një mijë lekë. Por, nëse drejtori i një banke të thotë se do të të japë një shumë të madhe të hollash, menjëherë mendja të shkon tek milionat. Nëse është vetë presidenti i shtetit ai që të premton një shumë të madhe, ti menjëherë mendon për qindra milionë. Nëse kjo ndodh me njerëzit, çfarë mendon nëse vetë Zoti i njerëzve –në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre – të thotë: “Kam përgatitur për robërit e mi të mirë, gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as në mendje nuk i ka vajtur kujt.” Mandej, Ebu Hurejre thotë: “Nëse doni, mund të lexoni ajetin: Askush nuk e di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Sexhde, 17)
Vallë sa vende të bukura kemi parë? Sa vende kemi vizituar? Nëse ke vizituar Egjiptin, Libanin dhe vende të tjera të lindjes, nuk ke vizituar vendet e Amerikës Latine dhe ato të Azisë së Largët.
Sa gjëra të bukura kemi dëgjuar? Secili prej nesh kemi dëgjuar mbi vende, fenomene dhe gjëra të ndryshme nga jeta mbi tokë. Madje, kemi dëgjuar shumë gjëra edhe mbi universin dhe planetë të tillë si Marsi etj… Kështu, rrethi i gjërave që kemi dëgjuar është më i madh dhe i gjerë nga ai i atyre që kemi parë.
Mbi sa gjëra të bukura kemi fantazuar? Pa dyshim që rrethi i imagjinatës dhe i fantazisë është akoma më i madh.
Të gjitha këto nuk kanë aspak vlerë para asaj që ka përgatitur Zoti për besimtarët.
Po të bëjmë një analizë hadithi i mësipërm, fillon me foljen (kam përgatitur), koha e shkuar, veta e parë. Koha e shkuar e foljes tregon që xheneti është i përgatitur tashmë dhe është në pritje të besimtarëve për ta mbushur. Kurse veta e parë e foljes tregon që xhenetin e ka përgatitur vetë Zoti i madhëruar dhe nuk i ka urdhëruar melekët që ta përgatisin atë.
Imagjinoje veten në ato çaste, ku vetë profeti Muhamed (a.s.) të merr për dore dhe të çon në pallatin e përgatitur për ty. Kjo, pasi ai i di veprat e tua të mira, moralin e lartë dhe përkushtimin ndaj Zotit. Të gjithë këto vepra, i paraqiteshin Profetit (a.s.), çdo ditë të enjte. Thotë Profeti (a.s.) në një hadith: “Mua më paraqiten veprat tuaja çdo të enjte. Për veprat e mira tuajat unë falënderoj Zotin.”
“ dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta. Të mbështetur në divane, ata nuk do të kenë as vapë dhe as të ftohtë. Hija e pemëve të tij (Xhenetit) është afër mbi kokat e tyre, ndërsa frutat e tyre do t’i kenë afër sa t’i arrijnë me dorë. Aty do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe kupa kristali, kupa të tejdukshme argjendi, madhësinë e të cilave (do ta zgjedhin) sipas dëshirës. Aty do të pinë gota me pije të përziera me xhenxhefil, prej një burimi të quajtur Selsebil. Atyre do t’u shërbejnë djem përherë të rinj, që, kur i shikon, të duken si margaritarë të shpërndarë. Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe. Ata do të jenë të veshur me petka të holla mëndafshi të gjelbër dhe me armaç mëndafshi të trashë, të stolisur me byzylykë të argjendtë. Zoti i tyre do t’u japë të pinë pije të pastër. Ky do të jetë me të vërtetë shpërblimi juaj; përpjekjet tuaja do të jenë të pranuara.” (Insan, 11-22)
Kur të mbërrish te pallati yt, do të mbetesh gojëhapur, pasi do të shohësh që je komshiu i Profetit (a.s.) në xhenet. Ashtu siç ke qenë shumë pranë traditës së tij në këtë botë, ashtu do të jesh me të në xhenet.
A e di si është i ndërtuar pallati yt në xhenet? Dëgjoje vetë të dërguarin e Zotit çfarë thotë. “Ndërtesat e xhenetit janë prej floriri dhe argjendi, suvatimi është prej misku (lloj parfumi), gurët janë prej diamanti dhe çatia e tyre është Arshi i Allahut.”
Jo vetëm pallatet dhe ambientet e tjera janë krejt të ndryshme, por edhe fytyra jote shkëlqen si asnjëherë më parë.
“Me të vërtetë, punëdrejtët do të gjenden në Xhenet, duke shikuar nga divanet. Në fytyrat e tyre do të njohësh shkëlqimin e Lumturisë.” (Mutafifin, 22-24)
“Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do të shohin.” (Kijame, 22-23)
Në një hadith Profeti (a.s.) thotë: “Njerëzit e parë që do të hyjnë në xhenet do të duken si hëna e plotë. Ata që do të hyjnë pas tyre do të duken si ylli më i shndritshëm në qiell dhe kështu me radhë. Në xhenet do të kenë krehra prej floriri, djersa e tyre do të ketë erë parfumi dhe do t’u frymëzohet bërja tesbih ashtu siç kryejnë frymëmarrjen”.
Hapësirat përreth të banorëve të xhenetit
Profeti (a.s.) ka thënë: “Njeriu, i cili do të ketë hapësira më pak në xhenet, është ai që nuk e përshkon dot pallatin e tij sikur të ecë për njëmijë vjet.” Vallë sa pemë mund të ketë përreth një pallat i tillë? Sa pishina, fusha golfi e futbolli, sa lumenj etj…?
Kur e dëgjuan këtë, shokët e Profetit (a.s.) e pyetën: “O i dërguari i Allahut! Nëse ky është njeriu që do të ketë hapësira më pak në xhenet, cili është ai që do të ketë gradën më të lartë?!” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Është ai, i cili do të mundet ta shohë Zotin çdo drekë dhe darkë.”
“Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe.” (Insan, 20)
Në dynja ke jetuar në skamje dhe mjerim, kurse sot në xhenet jeton i lumtur dhe gëzon mbretëri të pafundme.
Shoqëria në xhenet
Një ndër problemet me të cilat përballen shokët në këtë jetë, është se kanë dëshira dhe hobe të ndryshme. Nëse njëri kërkon të luajë futboll, tjetri kërkon të lahet në pishinë. Ndërkohë që në xhenet, zemrat e tyre do të jenë si një zemër e vetme. Profeti (a.s.) ka thënë: “ Zemrat e tyre do të jenë si një e vetme, pa pasur mosmarrëveshje dhe urrejtje mes tyre”.
Nëse njëri nga shokët në xhenet shpreh një dëshirë, të gjithë shokët dhe familjarët i bashkohen dhe e shijojnë në maksimum.
“Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” (Kaf, 35)
Banorëve të xhenetit do t’u mundësohet realizimi i çdo dëshire. Nëse dikush dëshiron ta ftojë të dërguarin e Zotit me shokët e tij për drekë apo për darkë, mund ta realizojë kur të dojë. Ata do të mund të dalin shëtitje të gjithë pranë një lumi, ku Profeti (a.s.) dhe pjesëmarrësit në luftën e Bedrit, mund t’u tregojnë mbi detaje të kësaj beteje.
Profeti (a.s.) ka thënë në një hadith: “Në xhenet ekzistojnë pazare të mbushur me foto të bukura anash. Nëse një burrë me bashkëshorten e tij shëtisin në këtë Pazar dhe u pëlqen njëra nga fotot, mund të hyjnë brenda saj dhe të shëtisin sa të duan.”
Në një hadith tjetër, Profeti (a.s.) thotë: “Për banorët e xhenetit, do të fryjë një erë e veçantë çdo ditë të xhuma. Kur burrat dhe gratë kthehen nga tregu, kthehen me një bukuri të papërshkrueshme. Burri do t’i thotë gruas: ‘Qenke bërë shumë e bukur’, dhe gruaja ia kthen: ‘Edhe ti, për Zotin, qenke bërë shumë i hijshëm’.”
“Aty do të kenë çfarë të duan…”
Nëse të pëlqen hipizmi, atje do te kesh kuaj nga racat më të mira. Nëse të pëlqen të zhytesh në lumenj dhe dete dhe të luash me peshqit, të gjitha do t’i kesh. Nëse ke talent pikturën dhe të pëlqen të pikturosh pamje dhe peizazhe nga xheneti, të mundësohet gjithçka sa hap e mbyll sytë. Nëse të pëlqen udhëtimi dhe dëshiron të bësh një udhëtim rreth xhenetit, të mundësohet një gjë e tillë.
A është e mundur që të mërzitemi në xhenet?
Pa dyshim që jo. Zoti thotë në Kuran: “Sigurisht që atë ditë banorët e Xhenetit nuk do të mendojnë për gjë tjetër, veç lumturisë së tyre. Ata dhe gratë e tyre do të jenë në hije, të mbështetur në ndenjëse të lartuara.” (Jasin, 55-56)
“Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit, ku do të qëndrojnë përherë, duke mos dëshiruar asnjë ndryshim.” (Kehf, 107-108)
Ne mërzitemi në këtë botë, pasi kënaqësitë e saj janë tejet të kufizuara. Kënaqësitë e kësaj bote kufizohen në të ngrënët, të pirët, shëtitjet, marrëdhëniet intime mes burrit dhe gruas dhe asgjë më shumë. Ndërkohë që në xhenet kënaqësitë janë të pafundme. Nëse Zoti ka krijuar shtatë ngjyra në këtë botë, në xhenet kushedi sa mijëra ekzistojnë. Nëse notat muzikore janë shtatë, në xhenet kushedi sa mijëra të tilla janë. E si mund të mërzitet njeriu në xhenet, ndërkohë që peizazhi përreth pallatit të tij ndryshon çdo ditë? Si mund të mërzitet ndërkohë që shijet e ushqimeve ndryshojnë çdo ditë? Si mund të mërzitet, ndërkohë që kënaqësitë veç sa shtohen çdo ditë? Si mund të mërziten, ndërkohë që ata përjetojnë kënaqësinë më të madhe në xhenet, shikimin e vetë Allahut të madhërishëm? Zoti i lartësuar thotë në Kuran: “Sigurisht që atë ditë banorët e Xhenetit nuk do të mendojnë për gjë tjetër, veç lumturisë së tyre.” (Jasin, 55)
Banorët e xhenetit nuk kanë kohë të mërziten, pasi janë të angazhuar me kënaqësi të pafundme. Në çdo çast, ata përballen me kënaqësi të ndryshme.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Me të vërtetë që kompensimi i Zotit është i shtrenjtë dhe kompensimi i Zotit është xheneti.”
Një ditë Profeti (a.s.) i pyeti shokët e tij: “A i është përveshur punës ndonjëri prej jush për të fituar xhenetin, i cili është i pafund?Për Zotin, xheneti është dritë që shkëlqen, në të ka borzilokë që lëkunden, pallate të lartë, lumenj vërshues, fruta të pjekur dhe stoli të ndryshme.”
Shokët iu përgjigjën: “Ne i jemi përveshur punës për ta fituar atë, o i dërguari i Allahut”.
Profeti (a.s.) u tha: “Thoni në dashtë Zoti!”
Në një hadith tjetër thuhet se Zoti do t’i drejtohet robit të Tij: “O robi Im, Unë jam i kënaqur me ty, po ti a je i kënaqur me Mua? A dëshiron diçka prej Meje, o robi im? Kërko dhe dëshiro çfarë duash, pasi gjithçka që të kërkosh do të të jepet.”
Ndërkohë që robi do t’i kërkojë ta shohë Zotin ashtu siç është, dhe kjo gjë do t’i mundësohet. Kjo do të jetë kënaqësia më e madhe që mund të përjetojë një banor i xhenetit.
Ebu Seid El-hudrij ka transmetuar se Profeti (a.s.) i ka thënë: “O Ebu Seid! Kush është i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si profet, e ka merituar xhenetin.” Ebu Seidi u habit nga kjo dhe i tha: “A ma përsërit dhe një herë o i dërguari i Allahut!?” Profeti (a.s.) ia përsëriti dhe shtoi: “Veç kësaj, për një vepër të vetme, atij i shtohen dhe njëqind gradë në xhenet, distanca mes një grade dhe një tjetre është sa distanca mes qiellit dhe tokës.” Ebu Seid pyet: “E cila qenka ajo vepër, o i dërguari i Allahut?!” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Xhihadi në rrugë të Zotit.” (Nisaij)
Ky ishte udhëtimi i shkurtër i kësaj bote, për të fituar lumturinë e amshuar të xhenetit. Këto fjalë që thamë, nuk janë thjesht fjalë qetësuese. Kjo, pasi disa njerëz thonë se myslimanët dhe hoxhallarët na flasin për xhenetin, duke na droguar, me qëllim që të vazhdojmë në këtë gjendje të nderë, duke pritur xhenetin. Kjo nuk është aspak e vërtetë, ashtu siç nuk është e vërtetë thënia se feja është opium për popujt. Vetë profeti Muhamed (a.s.), sa herë që citonte diçka lidhur me xhenetin, e citonte në kuadër të suksesit në këtë botë. Ai e përdorte shpërblimin me xhenet, si stimul suksesi në këtë botë.
Profeti (a.s.) ka thënë lidhur me rëndësinë e arsimimit: “Kush i hyn një rruge për të nxënë dije, Zoti ia ka lehtësuar rrugën e xhenetit.”
Pra, nëse kërkon të fitosh xhenetin, duhet të studiosh dhe të nxësh dije.
“Xheneti ndodhet poshtë këmbëve të nënave.”
Ato njerëz që kanë mangësi në trup, ngushëllimin e kanë vetëm te xheneti. Profeti (a.s.) ka thënë: “Kë sprovon Zoti me humbjen e shikimit, ia kompenson atë me xhenet.”
Megjithatë, lumturia ekziston edhe në këtë botë. Siç do të shohim dhe në hadithe dhe ajete të shumta, Zoti ua ka premtuar lumturinë besimtarëve edhe në këtë jetë. /ao
Amër Halid