Në aksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës të xhumasë së 12 gushtit për ndihmë banorëve të lagjes Hasanbeg të Shkupit të cilët pësuan nga përmbytjet dhe vërshimet, nëpër xhamitë e Kosovës u grumbulluan gjithsej 145.961.91 euro, të cilat dje nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës i janë transferuar Shoqatës Humanitare “Hilal” të Bashkësisë Islame të Republikës së Maqedonisë.
Sot paradite një delegacion i Bashkësisë Islame të Kosovës i prirë nga Myftiu Naim ef. Tërnava, së bashku me një delegacion nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i prirë nga kryetari, Skënder Bruçaj qëndruan në Shkup ku u pritën nga reisi i BFI së RM, Sulejman ef. Rexhepi i cili i njoftoi delegacionet nga Shqipëria e Kosova për dëmet që ka pësuar lagjja Hasanbeg nga vërshimet dhe përmbytjet. Reisi po ashtu i njohu mysafirët edhe me masat e marra për tejkalimin e situatës dhe përpjekjet për normalizim e gjendjes atje.
Reis ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi falënderoj Myftiun Tërnava, Bashkësinë Islame të Kosovës, kryetarin Bruçaj dhe KMSH për interesimin, përkrahjen dhe mbështetjen që kanë dhënë me rastin e fatkeqësisë në Hasanbeg.
Myftiu Tërnava e kryetari Bruçaj pasi i dorëzuan dëshminë e transfereve bankare të mjeteve financiare të grumbulluara nga dy xhematët respektive, edhe njëherë shprehen ngushëllime e dhembje për viktimat dhe dëmet e pësuara, si dhe ripërseriten gatishmërinë për solidaritet, përkrahje e mbështetje të mëtutjeshme.
Tre udhëheqësit e tri bashkësive Islame shqiptare (Myftiu i Kosovës, Naim ef. Twrnava, kryetari i KMSH, Skënder Bruçaj dhe nikoqiri reis, H. Sulejman Rexhepi) në mesditë qëndruan në lagjen Hasanbeg ku nga afër panë dëmet që kanë shkaktuar përmbytje dhe vërshimet si dhe masat e marra për sanimin e gjendjes.