Ballina Lajmet Kosovë Xhavit Haliti: Demarkacioni në rrezik, komisioni i pafuqishëm

Xhavit Haliti: Demarkacioni në rrezik, komisioni i pafuqishëm

Disa ditë para së në Kuvendin e Kosovës të shkojë në votim marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, koalicioni qeverisës ende nuk e di nëse i ka votat e mjaftueshme për ratifikim.
Një numër i deputetëve nga radhët e dy partive në pushtet PDK-LDK, janë shprehur kundër votimit të marrëveshjes e disa të tjerë ende kanë dilema. Njëri nga ta që ende nuk ka vendosur se si do të votojë është edhe Xhavit Haliti nënkryetar i Kuvendit dhe PDK-së dhe zyrtar me ndikim të madh në këtë parti.

Haliti i cili kishte kundërshtuar mënyrën se si është bërë marrëveshja me Malin e Zi, ka treguar për lajmi.net se vazhdon të ketë qëndrime të njëjta, dhe se është në dyshime se si do të votojë.

Por, nënkryetari i PDK-së, pavarësisht vërejtjeve që ka, ka thënë se organet drejtuese të partisë kanë marr vendim që kjo marrëveshje të votohet dhe se është obligim nga secili deputet t’i respektojë ato, pavarësisht qëndrimit personal, ndonëse sipas tij, praktikat kanë treguar se jo gjithë herë është respektuar vendimi i partisë nga deputetë, dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në këtë rast.

“Vendimet Këshillit Drejtues, Kryesisë dhe grupit parlamentar janë të obligueshme për secilin pa marr parasysh qëndrimin e tij personal, edhe pse shumë herë ne nuk i kemi respektuar vendimet e partisë dhe deputetët kanë votuar kundër qëndrimit të grupit parlamentar”. “Tani me qenë që kjo është një praktikë tek ne dhe tek gjitha partitë, të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet, nuk mundem me paragjyku për askënd dhe nuk jam i sigurt as për vetën sepse nuk më ka bind asnjëra palë”, ka thënë Haliti për lajmi.net.

Ai po ashtu ka kritikuar edhe deklaratat e disa politikanëve kryesor duke i cilësuar si irrituese për opinion e të paqarta.

Kritika Haliti ka edhe për Komision Shtetëror për të cilin ka vlerësuar se ka qenë i pafuqishëm për të ndryshuar ndonjë gjë. “Ky komision kam përshtypje si ka pa disa harta dhe ka ngrënë dreka e darka, dhe nuk ka pasur fuqi dhe mundësi me ndryshuar as marrëveshjen e Kumanovës, Pakon e Ahtisarit as marrëveshjen e Vjenës që është zhvilluar në kuadër të bisedimeve”, ka thënë Haliti.

Më 1 shtator në Kuvendin Kosovës do të jetë në rend dite miratimi i marrëveshjes për demarkacionin.

Përveç deputetëve të opozitës që janë shprehur kundër kësaj marrëveshje, janë edhe disa deputetë të koalicionit dhe të pavarur që do të votojnë kundër (9 deri më tani janë deklaruar), e disa të tjerë që nuk kanë vendosur, duke bërë që marrëveshja të vihet në dyshim për ratifikim.

Exit mobile version