Xhamia Bejturrahman në Açe të Indonezisë e cila sfidon vitet, njihet nga muslimanët e këtij rajoni si ‘Kalaja’ e Açe-s, shkruan Anadolu Agency (AA).
Xhamia e ndërtuar me materiale drusore, nga Sulltani i Açe-s, Skënder-i në vitin 1612, tërheq vëmendje edhe me historinë e saj interesante.
Xhamia e cila u dogj në vitin 1873 nga ushtarët holandezë të cilët kishin ardhur për të pushtuar vendin, u kthye në një pikë kthese dhe ndikoi që të rritej epërsia e Islamit dhe kryengritja e muslimanëve të rajonit.
“Kjo xhami në të cilën un jam imam, konsiderohet si Kalaja e Açe-s, nga e kaluara deri në ditët e sotme. Që prej ndërtimit të saj, xhamia ka qenë pre e sulmeve të kolonistëve, por me përpjekjet dhe kryengritjet e muslimanëve të zonës, ajo është ndërtuar përsëri”, thotë kryeimami i xhamisë Bejturrahman, Azman Ismail.
Duke vënë në dukje se kolonistët holandezë e dogjën xhaminë pasi e konsideronin atë si Kalanë e rajonit, Ismail në vijim shton: “Xhamia Bejturrahman është ndërtuar krejtësisht nga lëndët drusore. Kolonistët holandezë e dogjën atë në vitin 1873 me urdhër të një nga komandatët e tyre, Kjohler. Muslimanët të cilët nuk e pranuan një gjë të tillë, realizuan një kryengritje, në të cilën Khohler u vra në oborrin e kësaj xhamie”.
“Kryengritja e muslimanëve të Açe-s bëri që kolonistët të hedhin hap pas”
Ismail thotë se kryengritja e muslimanëve të Açe-s bëri që kolonistët të hedhin hap pas dhe shton:
“Vrasja e komandantit Khohler, i cili ishte bërë dhe shkaktar për djegjen e xhamisë, bëri që Holanda të pranonte që të ishte e sjellshme ndaj vlerave të Islamit. Qeverisja e asaj kohe e Holandës dha fjalën për rindërtimin e xhamisë, në mënyrë që të ulë tensionet tek muslimanët dhe në këtë mënyrë themeli i parë prej betoni i kësaj xhamie u hodh në vitin 1879”.
Shenja arkitekture të 3 vendeve
Xhamia, ndërtimi i së cilës u plotësua nga sulltani i fundit i Açe-s, Muhammed Daud Sjah në vitin 1881, mbart shenja arkitekture të 3 vendeve të ndryshme, thotë Ismail dhe më pas shton: “Themeli i parë i xhamisë u hodh nga Holanda. Më pas ndërtimi i saj u përfundua nga arkitektë arabë dhe sulltanët indonezianë. Për këtë arsye ajo mbart në vetvete shenja të arkitekturës nga 3 vende”.
Ismail thotë se xhamia fillimisht nuk u pranua nga muslimanët e Açe-s për shkak se themelet ishin hedhur nga Holanda, ndërsa tregon se më vonë ata pranuan pasi xhamia u plotësua nga arkitektët dhe kontribuesit muslimanë.
Nuk u ndikua nga Tsunami
Xhamia Bejturrahman në tërmetin e vitit 2004 dhe në tsunamin e krijuar pas tij arriti të mbijetonte edhe pse të gjitha ndërtesat përreth u shembën, ndërsa pemët u shkulën. Në tërmetin dhe tsunamin të cilët u bënë shkas për vdekjen e rreth 250 mijë njerëzve në këtë rajon, xhamia pësoi vetëm disa krisje.
Duke vënë në dukje se xhamia ka shpëtuar shumë njerëz gjatë kësaj fatkeqësie, Ismail në vijim thotë: “Kur ndodhi tsunami unë isha në shtëpi. Ndërkohë që shtëpia ime u shemb plotësisht nga një dallgë rreth 2 metra e lartë, xhamia nuk u ndikua fare. Pati vetëm disa plasaritje. Madje besimtarët dhe njerëzit e strehuar në xhami në atë kohë, shpëtuan mrekullisht dhe pa u plagosur”.
Rezistimi i xhamisë nga sulmet dhe fatkeqësitë e mëparshme, komentohet nga populli i Açe-s si një mrekulli.
Në xhaminë e ndërtuar në kohën e Sulltan Skënderit, thuhet se kanë shërbyer si dijetarë, njerëz të mëdhenj nga Turqia, Irani dhe bota arabe të cilët kanë dhënë mësim të dijeve fetare islame dhe që varret e tyre gjenden në Açe.
Xhamia fillimisht e ndërtuar me një minare, bashkë me shtesat e mëvonshme, momentalisht ka 7 kube, 8 minare dhe 32 kollona. Ajo është ndërtuar në një hapësirë prej 1.500 metrash katrorë dhë ka një kapacitet prej 30 mijë personash. Xhamia është futur në listën e UNESCO-s së trashëgimisë botërore.