Xhamia Jeni në Manastir shndërrohet në muze të trashëgimisë kulturore krishtere-islame, reagon komuniteti musliman

Pas inaugurimit të djeshëm të Xhamisë Jeni (Xhamia e Re) në qytetin Manastir të Maqedonisë së Veriut si një muze i trashëgimisë kulturore të krishterimit dhe islamit, komuniteti musliman në vend ka shprehur reagimet e tyre, raporton Anadolu.

Në një “letër me qëllim të mirë” drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, zv/kryeministrit të parë, Izet Mexhiti, zyrtarëve dhe institucioneve të tjera, Bashkësisë Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka shprehur shqetësimin e tyre të thellë për shndërrimin e xhamisë në Manastir në muze të trashëgimisë kulturore të krishterimit dhe islamit.

BFI-ja ka theksuar se e konsideron të papranueshme që të mos konsultohen për një projekt të tillë dhe “as të kërkohet pëlqimi ynë për realizimin e tij”.

“Në interes të të gjitha palëve të përfshira, dëshirojmë të shprehim mospajtimin tonë të thellë me këtë ide, duke pasur parasysh edhe Ligjin për Dekomunizimin e vitit 1990, i miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. BFI-ja ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë rikthimin e Xhamisë Jeni dhe përdorimin e saj nga besimtarët muslimanë të Manastirit si një vend adhurimi”, theksohet në letrën e BFI-së.

Më tej, nga atje thonë se shteti së bashku me institucionet e tij nuk i ka përmbushur këto kërkesa, për më tepër, për shumë vite e kanë mbajtur këtë xhami të mbyllur, duke e përdorur si “Galeri të Arteve”.

“BFI-ja e konsideron të domosdoshme ruajtjen dhe promovimin e frymës së tolerancës dhe respektit ndaj diversitetit fetar dhe kulturor. Ne, si përfaqësues të muslimanëve, kundërshtojmë fuqishëm këtë iniciativë për shndërrimin e Xhamisë Jeni në ‘muze’ dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha aktiviteteve që lidhen me këtë proces”, thuhet në letër.

BFI-ja gjithashtu fton institucionet shtetërore që të ndalojnë çdo autorizim ligjor që çon në ndryshimin e karakterit të këtij objekti kulturor dhe fetar, duke theksuar se historia 7-shekullore e kësaj xhamie është pjesë e trashëgimisë islame të Maqedonisë së Veriut dhe një vendim i tillë përbën fyerje për të gjithë besimtarët muslimanë të vendit.

– Reagojnë edhe deputetë

Lidhur me këtë zhvillim kanë reaguar edhe deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Lëvizjes Populli dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Skender Rexhepi, në reagimin e tij në rrjetet sociale tha se “paturpësisht” xhamia në Manastir shndërrohet në muze krishtero-ortodoks.

“Kur themi që agjenda e kësaj qeverie është deshqiptarizimi i shtetit, po rezulton që përsëri kemi thënë pak, ngase tash i erdhi radha edhe deislamizimit të pjesës lindore të RMV-së”, shkroi ai.

Gjithashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Maqedonisë së Veriut, Beycan Ilyas, njëherësh deputet, ka dënuar ashpër shndërrimin në muze të kësaj vepre osmano-islame, e cila më parë përdorej si galeri arti.

“Nuk është e mundur që ne të pranojmë që një vepër osmane-islame të sillet në këtë gjendje. U bëj thirrje autoriteteve shtetërore që ta korrigjojnë sa më shpejt këtë padrejtësi”, shkroi Ilyas.

Salih Murat, përfaqësues i Lëvizjes së Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci dhe deputet, ka dënuar fuqishëm vendimin për shndërrimin e Xhamisë Jeni në muze.

“Ky vendim arbitrar dhe i paligjshëm është qartësisht në kundërshtim me vlerat themelore të vendit tonë, kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare”, theksoi ai.

Murat i ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit të ngrenë zërin kundër këtij vendimi të padrejtë dhe të paligjshëm dhe e ka ftuar qeverinë të marrë masa urgjente.

“Xhamitë tona historike janë pjesë e pandashme e trashëgimisë sonë kulturore dhe duhet të ruhen me funksionet e tyre thelbësore”, shtoi ai.

Reagimin e tyre për shndërrimin e Xhamisë Jeni në muze e kanë shprehur edhe shoqata Köprü dhe Genç Kalemler.