Pas punimeve të ndërtimit në Xhaminë e Beut, rrënojat e së cilës u gjetën gjatë gërmimeve në kalanë Kemah të qytetit turk Erzincan, sot vazhdon thirrja e ezanit si në kohët e dikurshme, raporton Anadolu.
Rrënojat që vlerësohet të jenë tetëshekullore, u gjetën gjatë gërmimeve të nisura në vitin 2010 nën koordinimin e Departamentit të Historisë së Artit të Fakultetit të Letërsisë të Universitetit Atatürk në Kalanë Kemah, e cila u ndërtua në një kodër dominuese larg qendrës së qytetit.
Xhamia historike, e cila u rindërtua në vitin 2021, është ndërtuar në përputhje me origjinalin, bazuar në të dhënat historike, me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit të Anadollit Verilindor, njerëzve të biznesit dhe bashkisë Kemah.
Kalaja Kemah ishte qendra e vendbanimit të Menguxhekëve, një nga principatat e para turke në Anadoll. Në xhaminë historike aty ku thirrja e ezanit jehon përmes një sistemi qendror, në të ardhmen e afërt pritet të caktohet edhe një imam.
Kryebashkiaku i Kemah, Cevdet Bayram, për Anadolu tha se ishte një kënaqësi e papërshkrueshme të dëgjoje sërish ezanin nga Xhamia e Beut, e cila u rindërtua sipas origjinalit duke përdorur të dhënat.
“Dëgjimi i ezanit në këtë xhami historike 800-vjeçare është një gjë e madhe dhe një ndjenjë shumë e bukur për ne. Aktualisht, qarku, myftinia dhe ne i kemi plotësuar të gjitha nevojat e këtij vendi. Ajo që mungonte këtu ishte ezani, të cilin e realizuam me rastin e Fitër Bajramit dhe u prit me interesim të madh nga qytetarët tanë. Ishte bukur të dëgjoje sërish ezanin në Kalanë Kemah, e cila ka mijëra vjet histori”, tha kryebashkiaku Bayram.
Ai kujtoi se Evlija Çelebiu e përmend edhe Xhaminë e Beut në veprën e tij “Udhëpërshkrimi”. “Ai përmend se këtu ka pasur një lagje dhe një xhami në vitet e kaluara të Kemahut. Prandaj, kjo situatë është realizuar. Një gjë e bukur ndodhi këtu me rindërtimin e kësaj xhamie dhe lagjeje sot. Shpresojmë se do të vazhdojmë plotësisht këto gërmime. Me shpresë tek Zoti ne do ta gërmojmë kalanë tonë dhe ta hapim atë për turizëm”, tha ai.
“Pres të vijnë një numër i konsiderueshëm vizitorësh”
Bayram tha se në Kemah ka shumë objekte të rëndësishme historike dhe kulturore. “Një nga lagjet më historike të Erzincanit është Kemah. Prandaj, ne kemi përjetuar një histori serioze këtu. Kemah ka vazhduar kështu që nga viti 1071. Shpresojmë, ne do ta hapim këtë vend për turizmin në një kohë të shkurtër dhe do ta bëjmë një lagje që meriton turizmin. Shpresoj se nëse plotësohen mangësitë, një numër i konsiderueshëm vizitorësh do të vijnë këtu”, tha Bayram.