Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Xhamia e Namazgjasë në Tiranë plotësoi ëndrrën shekullore të myslimanëve shqiptarë

Xhamia e Namazgjasë në Tiranë plotësoi ëndrrën shekullore të myslimanëve shqiptarë

Data 10 tetor e këtij viti shënoi një moment të veçantë dhe historik për myslimanët shqiptarë, pasi u hap Xhamia e Namazgjasë në Tiranë, duke u realizuar ëndrra shekullore e tyre.

Xhamia e ndërtuar me kontributin financiar të Turqisë u inaugurua në një atmosferë festive me pjesëmarrjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, zyrtarëve të tjerë të lartë nga të dy vendet dhe mijëra besimtarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, duke shënuar edhe zyrtarisht hapjen e saj për adhurim nga besimtarët.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, por edhe më pas, xhamia është konsideruar si simbol i miqësisë, vëllazërisë dhe solidaritetit mes dy vendeve dhe një objekt kulti dinjitoz për myslimanët shqiptarë.

Për Anadolu qytetarët shqiptarë shprehen se janë të gëzuar dhe të emocionuar që arritën të përjetojnë një moment të tillë dhe që tashmë do të kryejnë ritet fetare në Xhaminë e Namazmgjasë.

– Besimtarët falënderojnë presidentin Erdoğan dhe popullin turk

Idlir Abazaj tregon se si besimtarë myslimanë e kanë pritur kaq shumë hapjen e xhamisë. “Jashtëzakonisht emocionuese kur u futa për herë të parë dhe e pashë. Është plotësuar një nga ëndrrat që ne kemi pasur me vite. E pashë me kujdes dhe doja të falënderoja këdo që ka punuar për këtë xhami, është kujdesur për detajin më të vogël”, shprehet ai.

“Falënderojmë presidentin Erdoğan dhe popullin turk, që pa ata kjo xhami nuk do ishte bërë”, thekson ndër të tjera Abazaj.

Agim Çakmashi është një tjetër besimtar që ndan emocionet e inaugurimit të xhamisë, duke theksuar se ishte realizim i ëndrrave të myslimanëve. “Falënderojmë shtetin turk, por edhe popullin turk që në çdo hap ka qenë në mbështetje të shqiptarëve. Ka qenë gjithmonë një popull vëlla që na kanë mbështetur dhe vazhdojnë të na mbështesin. Ne ju jemi mirënjohës”, shprehet ai.

Çakmashi thekson se ishte e nevojshme për myslimanët pasi në festat e Bajrameve janë falur nëpër sheshe. “Shpresoj të jetë një ogur i mirë”, tha Çakmashi.

Esma Kajtazaj e emocionuar tregon se si myslimanë janë shumë të lumtur dhe të gëzuar që kanë “këtë xhami madhështore”.

“Ndiejmë gëzim nga shpirti. Falënderojmë Turqinë për ndihmën që ofroi për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë. Me të vërtetë një xhami mjaft madhështore. Ndihemi të lumtur dhe të gëzuar”, shprehet ajo.

Mimoza Anamali shprehet se kur ka hyrë për herë të parë në xhami i është dukur një mrekulli. “Është mrekullia më e madhe për ne që kemi arritur këtu”, thekson Anamali e përlotur nga gëzimi që i ka sjellë hapja e xhamisë.

Ervin Daja është një tjetër besimtar i cili tashmë ritet fetare i kryen në xhaminë e re dhe tregon se emocionet për hapjen e xhamisë ishin shumë të mëdha, sikur të një dhurate të bukur.

“Ne kishim shumë vite që prisnim që kjo xhami të hapej sepse realisht është vënë re gjithmonë kur festohet Bajrami myslimanët faleshin nëpër sheshe, bulevarde dhe ishte shumë e nevojshme. Besoj se është një dhuratë shumë e bukur që populli turk ua ka bërë vëllezërve myslimanë shqiptarë. Shpresoj që gjithë shpërblimet atyre t’u kthehen”, thekson Daja.

Duke e konsideruar xhaminë si shumë të bukur dhe madhështore, Daja shprehet se “kur futesh brenda dhe fal namazin të jep një paqe shpirtërore shumë të madhe”.

Në ditët e para pas hapjes, Xhaminë e Namazgjasë e frekuentojnë edhe çiftet e reja, duke i përjetuar emocionet e celebrimit të tyre në xhaminë e re dhe të tillë janë edhe Halit Moqi dhe Klementina Lila.

Moqi shprehet se emocionin e ditës së tij më të rëndësishme zgjodhi ta përjetojë edhe në Xhaminë e Namazgjasë. “Si mysliman që jam, zgjodha të përjetoja edhe emocionet e hapjes së xhamisë së re”, tregon ai.

Edhe bashkëshortja e cila qëndron në krah të tij, Klementina, shprehet se është lumtur që emocionet e martesës i përjetoi edhe brenda ambienteve të xhamisë së re dhe ajo thekson se xhamia është një kryevepër.

– Xhamia e Namazgjasë

Xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e cila është inauguruar më 10 tetor, është xhamia më e madhe në Ballkan. Ajo është ndërtuar me kontributin financiar të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet) dhe Fondacionit të Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV).

Sipërfaqja e përgjithshme e xhamisë është mbi 10 mijë metra katrorë, ku sipërfaqja e ndërtimit është 5.200 metra katrorë dhe sipërfaqja e brendshme e xhamisë është 2.415 metër katrorë.

Ndërkohë, xhamia ka një kapacitet të pranojë deri 10 mijë njerëz për adhurim në të njëjtën kohë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të saj.

Xhamia ka 4 minare 56 metra të larta, një kupolë kryesore mbi 36 metra të lartë dhe 18 kupola të vogla, me detaje që kujtojnë arkitekturën osmane.

Gjithashtu, xhamia, e cila ndodhjet në një nga zonat pranë qendrës së Tiranës, ka edhe ambiente të tjera ndihmëse që përfshijnë salla konferencash, një sallë ekspozite, klasa, një bibliotekë, ambiente studimi, një qendër kulturore dhe ambiente të tjera.

Mbi një shekull marrëdhënie diplomatike Turqi-Shqipëri është shoqëruar me një proces të gjatë bashkëpunimi, partneriteti dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme, duke kulmuar me zyrtarizmin e partneritet strategjik në vitin 2021.

Prej disa dekadash Turqia ka ofruar ndihmë të ndryshme ndaj Shqipërisë në shumë sektorë, si dhe për përballimin e fatkeqësive natyrore. Gjithashtu, përveç ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë, Turqia ndër vite ka kontribuuar edhe në restaurimin e objekteve historike të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Exit mobile version