Administrata e Fondacioneve Islame e Kudsit njoftoi se vitin e kaluar më shumë se 53 mijë hebrenj fanatikë bastisën Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu.
Një zyrtar nga Administrata e Fondacioneve Islame të Kudsit, i cili foli në kushte anonimiteti, për gazetarin e Anadolu-t u shpreh se 53.605 hebrenj fanatikë bastisën Xhaminë al-Aksa gjatë vitit 2024.
Kjo shifër u regjistrua si shifra më e lartë deri më tani pas shqyrtimit të statistikave në lidhje me bastisjet e hebrenjve fanatikë në xhaminë Al-Aksa që nga viti 2003.
Në vitin 2023 dhe 2022 kjo shifër kaloi 48 mijë, ndërsa në vitin 2021 u regjistrua në rreth 35 mijë.
Bastisjet filluan në vitin 2003 me vendim të policisë izraelite dhe në përgjithësi kryhen çdo ditë të javës, përveç të premteve dhe të shtunave, ndërsa intensifikohen në festat hebraike.
Imami i Xhamisë Aksa, Sheikh Ekrima Sabri, dënoi bastisjet e forcave izraelite në Xhaminë Al-Aksa gjatë vitit të kaluar.
“Viti i kaluar ka qenë një vit i mbushur me ngjarje të dhimbshme, në të cilat bastisjet u shtuan vazhdimisht në xhaminë Al-Aksa dhe në të cilën u penguan lutjet”, u shpreh Sabri.
Ai theksoi se në vitin 2024 janë kryer krimet e vrasjeve dhe shkatërrimit kundër civilëve palestinezë, veçanërisht në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
“Këto shkelje të shëmtuara, zbuluan fytyrën e vërtetë të pushtimit izraelit dhe pretendimet e rreme të komunitetit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Bota nuk mundi ta mbrojë popullin palestinez nga persekutimi i okupimit. Pavarësisht nga të gjitha këto vështirësi, populli palestinez vazhdon të kërkojë të drejtat e tij”, tha Sabri.
Sabri i bëri thirrje botës islame që të bashkohet dhe të bëjë përpjekje për të mbështetur kauzën palestineze dhe komunitetin ndërkombëtar të mbështesë Palestinën derisa të arrijë lirinë dhe pavarësinë e saj.
– ‘Status quo’-ja në lidhje me Xhaminë Al-Aksa
Jordania konsiderohet vendi përgjegjës për çështjet fetare në Kuds, në përputhje me Marrëveshjen ‘Wadi Araba’ të nënshkruar me Izraelin në vitin 1994.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes mbretit Abdullah II të Jordanisë dhe presidentit palestinez Mahmoud Abbas në vitin 2013, e drejta për mbrojtjen dhe kujdestarinë e Kudsit dhe vendeve të shenjta atje sërish iu dha Jordanisë.
Xhamia Al-Aksa, sipas marrëveshjes, është nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.
Hebrenjtë të cilët më parë vizitonin Xhaminë Al-Aksa me lejen e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, që nga viti 2003 e deri më sot ata nën shoqërimin e policisë hyjnë në vendet e shenjta në kuadrin e vendimit të njëanshëm të Izraelit, i cili shkel sovranitetin e Administratës së Vakëfeve.
Administrata izraelite mbron idenë se po ruhet ‘status quo’-ja historike në Xhaminë Al-Aksa në të cilën “mund të adhurojnë vetëm muslimanët dhe anëtarët e feve të tjera vetëm mund të kryejnë vizita”.
Por kolonët fanatikë hebrenj janë kapur shpesh në kamera duke u lutur dhe duke kryer rituale fetare gjatë bastisjeve që ata kryejnë në Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite.