Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka është në dyshim për ndeshjen çerekfinale ndaj Anglisë.
Mesfushori shqiptar i cili ka qenë një ndër lojtarët më të dalluar në këtë Evropian po përballet me një lëndim muskulor, i cili bëri që ai të humbasë një prej seancave stërvitore.
Xhaka po shpreson që të jetë i gatshëm plotësisht për duelin me Anglinë, pasi ai mbetet lojtari kyç i Zvicrës dhe pa të misioni për kualifikim në gjysmëfinale do të ishte shumë i vështirë. Ndeshja ndërmjet Anglisë dhe Zvicrës luhet të shtunën prej orës 18:00.
Në katër ndeshjet e Zvicrës të luajtura deri më tani në “Euro 2024”, Xhaka ka qenë i pazëvendësueshëm dhe dy herë është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes në fazën e grupeve.
Krahas Xhakës, pjesë e Zvicrës janë edhe Xherdan Shaqiri e Ardon Jashari. Shaqiri ka vetëm një paraqitje deri më tani në Evropian, ndërsa Jashari nuk ka luajtur në asnjë ndeshje në këtë turne që po mbahet në Gjermani.
Kalimin në çerekfinale Zvicra e arriti pasi në 1/8 e finales eliminoi Italinë si kampione në fuqi të Evropës.