Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, u shpreh tejet i nervozuar me humbjen nga Danimarka në ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve për këtë edicion.
Zvicra u mposht 2:0 në Kopenhagë, ndërsa e përfundoi ndeshjen me dy lojtarë më pak. Fillimisht në fillim të pjesës së dytë u përjashtua Nico Elvedi, ndërsa kah fundi Xhaka mori kartonin e dytë të verdhë. Për këtë, do të mungojë pas katër ditëve kundër Spanjës.
Por yllit të Leverkusenit i ka mbetur hatri me sjelljen e lojtarëve danezë.
“Vitet e fundit jam bërë më i qetë. Por kur një lojë është aq e padrejtë sa ishte dje, emocionohem shumë. Në futboll fjala respekt është në fakt shumë e rëndësishme. Por ajo që treguan lojtarët danezë nuk ka të bëjë me respektin. Ne u sollëm në mënyrë shembullore në pjesën e parë. Kur një lojtar danez ishte i shtrirë në tokë, ne e dërgonim topin jashtë lojës. Në pjesën e dytë, lojtarët danezë panë që Breel ishte në tokë. ata nuk e dërguan topin jashtë dhe ne pranuam gol. Pjesa tjetër është histori”, ka thënë Xhaka.
31-vjeçari është i vetëdijshëm se nuk duhej të merrte karton të kuq. Por shton se ka momente kur një lojtar humbet veten.