Përfaqësuesit e partitive parlamentare që sot ishin në takimin koordinues me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, u dakorduan se prioritet i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave, njoftuan nga kabineti i kryeparlamentarit, transmeton Anadolu Agency (AA)
Në takim ishin të pranishëm përfaqësuesit e LSDM-së dhe koalicionit, BDI-së, BESA-s, Aleancës për Shqiptarët dhe PDSH-së, kurse përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit nuk ishte prezent.
Kryetari Xhaferi u njoftua me konkluzionet e takimit joformal të përfaqësuesve të partive politike që u mbajt më 13 maj 2017. Gjithashtu, Xhaferi u njoftua edhe se partitë pajtohen që debati për Propozim-ligjin do të jetë efikas dhe të përjashtohet çdo mundësi për “anulimin e tij të panevojshëm”.
Talat Xhaferi theksoi se me qëllim që të mundësohen kushte për punë të rregullt të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është e domosdoshme që të respektohet Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe i ftoi partitë politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend, konform nenit 33 të rregullores ta njoftojnë për formimin e grupeve parlamentare.
Ai theksoi se pret në afat të shkurtër partitë të arrijnë marrëveshje për formimin e trupave punuese, me qëllim që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratohen në bazë të procedurave të rregullores.
Xhaferi dhe përfaqësuesit e partive politike u pajtuan se dialogu politik duhet të vazhdojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe se të gjitha subjektet politike duhet të jenë të përgjegjshme para qytetarëve dhe të kontribuojnë për vazhdimin e proceseve demokratike në Republikën e Maqedonisë, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.