E ardhmja e Xavit vazhdon të jetë e paqartë nëse do të jetë te Barcelona apo do të largohet në fund të sezonit.
Trajneri katalunas muaj më parë ka konfirmuar se në fund të sezonit do të largohet nga Barcelona, por shumë zëra kanë qarkulluar se ai do të mbetet.
Edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka deklaruar se ata do të ishin të lumtur nëse Xavi do të mbetej në klub së paku edhe sezonin e ardhshëm.
Për këtë ka folur tani edhe legjenda e Barcelonës, Gerard Pique që ka thënë se është i bindur se Xavi do të mbetet në klub edhe për sezonin e ri.
“Nuk mendoj se vendimi i Xavit është 100 për qind… të shohim, mendoj se do të qëndrojë dhe jam i sigurt”.
“Unë nuk flas çdo ditë me Xavin, por kemi folur disa herë. Unë dua më të mirën për të, sepse jam i sigurt se do të jetë më e mira për klubin”, ka deklaruar Pique.
Fjalët e Pique janë befasuese sepse në të gjitha paraqitjet e tij të fundit publike, Xavi ka qenë mjaft i qartë për të ardhmen e tij dhe se vendimi për t’u larguar më 30 qershor është i pakthyeshëm.