Autoritetet në qytetin Wuhan të Kinës – ku koronavirusi është zbuluar për herë të parë – thanë se programi dyjavor i testimit të të gjithë popullsisë “ka qenë i suksesshëm”. Komisioni i Shëndetit i provincës Hubei tha se në periudhën 14 maj – 1 qershor ka testuar 9.89 milionë njerëz.
Popullsia e Wuhanit llogaritet të jetë rreth 11 milionë banorë. Gazeta Zyrtare “Daily People” raportoi se rreth 300 njerëz – afërsisht 0.003% e totalit – kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, porse ata nuk kanë shfaqur simptoma.
Autoritetet raportohet se kanë shpenzuar rreth 126 milionë dollarë në teste. Wuhani ka qenë epiqendra origjinale e shpërthimit të koronavirusit, me më shumë se 50,000 raste të konfirmuara. Qytetarët e tij kanë kaluar 76 ditë në izolim gjatë kulmit të shpërthimit. Në të gjithë botën numri i rasteve është mbi 6 milion e 400 mijë, ndërsa numri i të shëruarve ka shkuar në mbi 3 milion./tch