Wilders: do ti largojmë “zhelanët maroken”, do ti mbyllim xhamitë

Gert Wilders i hoqi dorezat në nisjen e fushatës së tij zgjedhore, me premtimin se do t’u vihet pas atyre që i cilësoi si “zhelanët marokenë”; njerëz, që siç u shpreh ai, po mbjellin pasiguri rrugëve të Holandës.

Politikani i ekstremit të djathtë i kërkoi zgjedhësve të rimarrin në dorë vendin e tyre, duke votuar partinë e tij për liri, të pozicionuar hapur kundër emigrantëve dhe BE-së.

“Nuk janë të gjithë llum, por ka shumë llum maroken në Holandë, i cili i bën të pasigurta rrugët tona, i bën të pasigurtë njerëzit tanë dhe kjo duhet të ndryshojë. Kam një mesazh për popullin holandez, nëse doni ta bëni Holandën një vend për holandezët, nëse doni ta bëni përsëri shtëpinë tuaj, atëherë mund të votoni vetëm për një parti. Nëse nuk i doni këto që thash, atëherë mund të zgjidhni mes 20 apo 30 partive të tjera. Por unë ju lutem ta beni Holandën përsëri tuajën”, deklaroi Wilders.

Wilders rrethohej nga policia dhe rojet e sigurisë gjatë ndalesës në bastionin e partisë së tij, Spijkenise, pjesë e zonës etnikisht të shumëllojshme që rrethon portin e madh të Rotërdamit.

Politikani e kalon shumicën e kohës i fshehur që prej vrasjes së regjisorit Theo Van Gogh në vitin 2004.

Njeriu i përshkruar në mediat ndërkombëtare si “Trumpi i Holandës”, ai shpreson fort se rritja e populizmit në rang global do ta katapultojë edhe atë drejt pushtetit në zgjedhjet parlamentare të 15 marsit.

Zotimet për ndalimin e emigrantëve myslimanë, mbylljen e të gjitha xhamive dhe daljen nga Bashkimi Europian përbëjnë boshtin e fushatës së tij zgjedhore.