Vuçiqi paralajmëron rikthim “të fuqishëm” të fushatës së çnjohjeve

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka thënë se vendi i tij, si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se nuk janë ndërprerë lobimet për njohje të pavarësisë së Kosovës, do të presë të shohë se në cilën organizatë ndërkombëtare do të aplikojë së pari Kosova apo nëse ndonjë vend do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Po atë ditë, nëse mentorët e tyre nuk i qetësojnë, ne do të vazhdojmë kampanjën tonë (për tërheqje të njohjeve të Kosovës) dhe ju premtoj atyre se ne do të jemi pesëfish më të suksesshëm”, tha Vuçiqi para gazetarëve pas vizitës që i bëri batalionit serb të tankeve në Mitrovicën e Sremit, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, transmeton Zeri.info.

Ai tha se deklarata e Hotit ka treguar se “nënshkrimi i shqiptarëve për Asociacionin e komunave serbe (AKS) dhe fjala e (të dërguarit amerikan për dialogun Richard) grenell nuk vlejnë asgjë”.

Presidenti serb tha po ashtu se nuk befasohet as nga mungesa e reagimit nga ana e BE-së dhe SHBA-së. “Jo pse ata (BE-ja dhe SHBA-ja) nuk janë të kënaqur me këtë, por sepse për ta është normale që shqiptarët të kërkojnë pavarësi dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

Vuçiqi tha se delegacioni serb ka qenë i gatshëm të bisedojë për ekonomi, por se delegacioni i Kosovës ka ardhur në këto bisedime, sipas tij, “për kompensim të dëmeve të luftës”.

“Kjo është për ta ekonomia, sepse s’kanë fabrika dhe investime. Ne për këtë nuk do të flasim fare. Dialogu duhet të vazhdojë, por nëse është pozitiv. Nëse na thonë ‘ejani ta nënshkruani pavarësinë e Kosovës’, as mos na thërrisni. Ne gjithmonë jemi për dialog dhe për zgjidhje kompromisi, e ata le të vazhdojnë të kërkojë”, tha presidenti serb.