Vuçiq: Takimi me Hotin mbahet më 7 shtator, do të kërkojmë themelimin e Asociacionit

Më 7 shtator do të mbahet takimi i radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

Kjo është konfirmuar sot nga vet i pari i  presidencës serbe i cili foli edhe për temat që pritet të diskutohen atje, transmeton lajmi.net.

Ai tha se në Bruksel do të kërkojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vuçiq madje foli edhe për ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës, për të cilin tha se ka folur edhe me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Kam folur me Lajçakun për të ashtuquajturin ligj për mbrojtjen e UÇK-së,  dhe kam vënë në pah se ky është një ligj që përcakton se askush s’guxon të mendojë ndryshe, ose arrestohet. Do ta shohim se si reagon Brukseli ndaj këtij ligji”, tha Vuçiq.

Ndryshe takimi i fundit mes Hotit dhe Vuçiqit u zhvillua më 16 korrik në Bruksel.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës pritet që sot të votojë për ligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, për të cilin kanë reaguar  edhe SHBA-të, duke cilësuar se i njëjti cënon lirinë e shprehjes.