Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar të martën në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Këtë takim që ishte i pari mes tyre që nga marrja e pozitës së emisarit special nga Sorenseni, Vuçiqi e ka cilësuar të hapur dhe konkret.
Nëpërmjet një postimi në Instagram pas takimit, Vuçiqi ka treguar për akuzat e tij ndaj Kosovës lidhur me trajtimin që sipas tij, i bëhet serbëve të Kosovës.
Vuçiqi ka ripërsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve”.
“Takimi i hapur dhe korrekt me zotin Sorensen, të cilin e kam njoftuar me problemet me të cilat përballet populli ynë në Kosovë dhe M. Kam shprehur shqetësimin e veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët në Kosovë dhe M. për shkak të lëvizjeve të shumta eskaluese, njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës. Kam theksuar gjithashtu pengesat e vazhdueshme që Prishtina po bën në procesin e dialogut dhe kam përsëritur se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas 12 vitesh refuzimi të Prishtinës për ta përmbushur këtë detyrim, është parakusht për fillimin e normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve”, ka shkruar Vuçiq.
Ai ka shtuar se pret nga BE-ja ta intensifikojë angazhimin e saj në dialog dhe të mbajë rol të paanshëm në këtë proces.