Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në adresimin e tij në Samitin e Demokracisë, të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përmendur iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”, në të cilën Kosova refuzon të marrë pjesë.
Ai ka thënë se vlerat demokratike forcohen përmes iniciativave të tilla që promovojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
“Serbia ka lansuar iniciativën ‘Ballkani i Hapur’, bashkë me miqtë tanë nga Ballkani, ku jam i bindur se me promovimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve krijohen kushte për forcimin e të gjitha vlerave demokratike. Parimi ynë udhëzues është se askush nuk duhet të lihet jashtë në ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore. Prandaj, Samiti për Demokraci është një mundësi reale për të vënë në dukje nevojën për trajtim të barabartë të të gjithë njerëzve dhe grupeve fetare në rajon me qëllim forcimin e mëtejshëm të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës, që është një parakusht për krijimin e një Ballkani Perëndimor edhe më të suksesshëm të orientuar drejt së ardhmes”, ka thënë ai.
Vuçiq ka thënë se Serbia është e përkushtuar plotësisht në vlerat evropiane dhe se anëtarësimi në BE mbetet prioriteti i tyre kyç.
I pari i Serbisë ka prezantuar edhe një iniciativë për të drejtat e romëve si pakicë në rajon, shkruan Klankosova.tv.