Vuçiq: Mendoj se kemi arritur disa marrëveshje konkrete për blerjen e avionëve “Rafale”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me takimin që zhvilloi me presidentin e Francës, Emmanuel Macron tha se ka arritur disa marrëveshje konkrete për blerjen e avionëve luftarakë “Rafale” ndërsa pret nënshkrimin e kontratës në dy muajt e ardhshëm, transmeton Anadolu.

Vuçiq dha deklarata për mediat serbe në Paris ku ai ndodhet për vizitë zyrtare.

Presidenti serb vuri në dukje se takimi që zhvilloi me Macron-in kaloi mirë. “Jam shumë i lumtur nga rezultatet e këtyre takimeve, jam i lumtur sepse mundëm të bisedojmë hapur dhe në mënyrë konkrete çdo lloj bashkëpunimi me një prej vendeve më të rëndësishme në botë”, tha ai.

Duke vënë theksin se gjatë takimit diskutuan edhe për blerjen e avionëve luftarakë “Rafale” të prodhuar nga kompania franceze Daussault, Vuçiq deklaroi “Mendoj se kemi arritur disa marrëveshje konkrete për blerjen e ‘Rafale’, për të cilin pres nënshkrimin e kontratës në dy muajt e ardhshëm. Kjo ceremoni nënshkrimi që është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë do të realizohet me pjesëmarrjen e presidentit francez, Macron”.

Vuçiq tha se me presidentin francez diskutuan për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe se bisedimet për këtë çështje nuk ishin të lehta.

“Besoj se Macron e ka kuptuar ‘pozicionin e Serbisë’. Macron e ka kuptuar se për çfarë kemi biseduar, për çfarë kemi rënë dakord. E keni parë që nuk kam gënjyer askënd, se këtë kam mundur t’ia them të gjithëve në fytyrë”, tha Vuçiq.