Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve me Kosovën në rast se kushtëzohet njohja dhe kërkimfalja.
Rifillimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë tash e sa kohë është duke u kërkuar nga ndërkombëtarët, mirëpo edhe qeveria e re e Albin Kurtit, është zotuar se prioritet do ta ketë rifillimin e dialogut.
Mirëpo, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një bashkëbisedim me qytetarët në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se, në rast se Kosova niset për bisedime me Beogradin zyrtar me shantazhe, duhet ta harrojë vazhdimin e dialogut dhe se kjo është një ide shumë e gabuar, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, nëse Prishtina zyrtare vjen me ndonjë propozim i cili nuk është thelbësor për dialogun, por të vije me propozimin se si ta njohim pavarësinë e Kosovës dhe sa më shpejt Serbia të bëjë kërkimfalje, atëherë siç u shpreh Vuçiq, nuk ka se çfarë të diskutohet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Por, përsëri, shpresoj se do të ketë njerëz më të arsyeshëm, racionalë që e kuptojnë se është e rëndësishme të bisedojmë dhe të përpiqen të kërkojnë një kompromis. Dhe nëse nuk dëshirojnë, nëse mendojnë se mund ta mposhtin Serbinë me shantazhe, atëherë ata e kanë shumë gabim”, theksoi Vuçiq.