Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se të enjten, në orët e pasdites, do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, siç tha, për t’i njoftuar me zhvillimet në Bruksel pas takimit të radhës me delegacionin e Kosovës.
“Do të japim gjithçka nga vetja që ta ruajmë paqen, ndërkaq nga Prishtina nuk presim asgjë”, ka porositur kryeministri serb Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Beçej, duke theksuar se situata është e komplekse, transmeton rel.
Megjithatë, Vuçiq nuk ka dashur që para gazetarëve të komentojë detajet e takimit në Bruksel, duke thënë se nuk varet gjithçka nga pala serbe. Ai ka theksuar se nuk dëshiron ta shkelë fjalën e dhënë Bashkimit Evropian dhe të dalë me informata në opinion.
Ndërkaq, kabineti i kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliq kë njoftuar se në takime të ndara me ambasadorët e Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nikoliq i ka informuar ata për rrjedhën e dialogut në Bruksel.
Siç thuhet në komunikatën e kabinetit të Nikoliqit, ky i fundit i ka njoftuar ambasadorët lidhur me “sjelljen e delegacionit të Prishtinës” në bisedimet në kuadër të takimin të së mërkurës në Bruksel.
Gjithashtu, në komunikatë thuhet se bashkëbiseduesit e takimit kanë ardhur në përfundim që në ditët e ardhshme është e nevojshme “që të vazhdohet dialogu dhe të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon”, si dhe se “nuk guxohet të lejohet që të arrihet deri te çfarëdo rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në Kosovë”.
Rrethi i dytë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mërkurën në mbrëmje në Bruksel, me nivel të lartë të përfaqësimit politik, ka përfunduar pa rezultate konkrete megjithëse shefja politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se “është e inkurajuar me angazhimin konstruktiv, që kanë treguar të dyja palët”.