Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vuçiq: 56 të plagosur dhe 22 të ndaluar në protesta në Beograd

Vuçiq: 56 të plagosur dhe 22 të ndaluar në protesta në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se 56 persona janë plagosur dhe 22 janë ndaluar nën dyshimin për vandalizëm gjatë protestës masive antiqeveritare në Beograd, transmeton Anadolu.

“Në protesta u plagosën 56 persona, ndërsa u ndaluan 22. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në demonstrata morën pjesë 107 mijë persona. Kërkoj nga studentët që të analizojnë situatën pa ndjerë asnjë presion. Ata do të shohin se shumica e kërkesave të tyre janë përmbushur”, tha Vuçiq.

Mijëra protestues në kryeqytetin serb mbrëmë u mblodhën për një protestë masive antiqeveritare kundër presidentit Vuçiq.

Protestat filluan në muajin nëntor pasi një strehë prej betoni u shemb në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Aksidenti ngjalli zemërim mbarëkombëtar, me kritikët që fajësuan qeverinë për dështimin në ruajtjen e infrastrukturës kritike dhe injorimin e paralajmërimeve të sigurisë.

Që atëherë, demonstruesit janë mbledhur pothuajse çdo ditë, duke kërkuar llogaridhënie dhe reforma sistematike. Protestat morën një vrull të konsiderueshëm, veçanërisht në mesin e studentëve dhe aktivistëve të rinj, shumë prej të cilëve marshuan drejt Beogradit në këmbë dhe me biçikleta nga pjesë të Serbisë.

Vuçiq paralajmëron kundër trazirave

Më herët, Vuçiq hodhi poshtë spekulimet se ai do të pranojë kërkesat për një qeveri kalimtare.

“Për aq kohë sa unë jam gjallë, nuk do të ketë qeveri tranzitore”, tha Vuçiq të premten.

Ai u bëri thirrje të gjithëve që të shmangin nxitjen e trazirave dhe të mos rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e vendit.

Derisa e quajti protestën “të paligjshme”, Vuçiq këmbënguli se Serbia mbetet “një vend jashtëzakonisht demokratik”.

“Ne do të bëjmë çmos për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve dhe për të mbrojtur institucionet si Parkun e Pionierëve dhe parlamentin serb”, tha Vuçiq.

Ai gjithashtu paralajmëroi se kushdo që prish paqen do të përballet me ndëshkim të rreptë dhe ata që tentojnë të sulmojnë tubimin do të arrestohen menjëherë.

Përpjekje e mundshme për grusht shtet

Vuçiq gjithashtu njoftoi një hetim mbi pretendimet se disa udhëheqës të protestës kanë qenë në diskutime me zyrtarë ushtarakë, duke lënë të kuptohet për përpjekje të mundshme për grusht shtet.

“Ushtria po e bën punën e saj në përputhje me ligjin dhe askush nuk duhet të shqetësohet për këtë”, tha Vuçiq, duke shtuar se në këtë moment nuk do të miratohet një gjendje e jashtëzakonshme.

Duke iu përgjigjur spekulimeve se qeverisjes së tij po i afrohet fundit, Vuçiq i hodhi poshtë këto pretendime.

“Ne do të flasim për këtë pasnesër. Ata që mendojnë se mund të rrëzojnë institucionet duhet të mendojnë përsëri”, tha ai.

Pavarësisht tensioneve në rritje, ai përsëriti thirrjen e tij për paqe.

Një moment përcaktues për të ardhmen politike të Serbisë

Demonstratat janë zgjeruar përtej shembjes së stacionit të trenit në Novi Sad, duke ovoluar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqmenaxhimit të qeverisë dhe rrëshqitjes demokratike.

Protestuesit, përfshirë studentë, mësimdhënës dhe fermerë, po kërkojnë transparencë më të madhe dhe llogaridhënie institucionale.

Derisa Serbia përballet me një nga protestat më të mëdha antiqeveritare në historinë e saj të fundit, grupet opozitare këmbëngulin se lëvizja do të mbetet paqësore.

Megjithatë, me tensionet në rritje, ditët e ardhshme mund të rezultojnë të jenë një moment kyç për peizazhin politik të Serbisë.

Exit mobile version