Vuçiç: Nuk do të nënshkruaj njohjen e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot në seancën e bordit të Partisë së tij Progresive Serbe (SNS) në pushtet deklaroi se nuk do të nënshkruajë njohjen e pavarësisë së Kosovës, pavarësisht presioneve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se presionet do të jenë të mëdha si para ashtu edhe pas mesit të qershorit, kur dialogu për Kosovën duhet të vazhdojë.

“Thelbi i drejtimit të vendit është në pavarësi, që ju të mund të merrni vendime në emër të Serbisë. Asnjë i huaj ose ambasador nuk do t’i marrë ato”, tha Vuçiç.

Ai përsëriti se “Prishtina nuk po përmbush detyrimet e saj, por se në Perëndim nuk janë të shqetësuar për këtë”.

Vuçiç shtoi se në dy ditët e fundit ai mësoi se do të shpallet “fajtor” për problemet e shumta në rajon për shkak të “non paper”-it.

“As kam ngrënë qepë, as kam nuhatur qepë. Nuk kam mbështetur asnjë prej tyre sepse Kosova është e pavarur në çdo vend. Unë jam fajtor për këtë dhe për faktin se askush nuk ka dashur një Serbi të fortë që nga Kongresi i Berlinit në 1878. Ata e shohin Serbinë si një faktor përçarës. Për shkak të kësaj, ajo është e penguar në kuptimin ekonomik dhe politik”, tha Vuçiç. /aa