Me rastin e incidenteve në Kuvendin e Maqedonisë, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka planifikuar për sot seancë emergjente të Zyrës për Koordinim të Shërbimit të Sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Vuçiç në një deklaratë telefonike për agjencinë e lajmeve Tanjug ka bërë thirrje për qetësi në Shkup dhe ka thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për problem të Maqedonisë, por për të gjithë qytetarët që jetojnë në këto hapësira.
Lidhur me zhvillimet në Maqedoni, Vuçiç ka thënë se ai gjithmonë ka bërë gjithçka që marrëdhëniet mes Beogradit dhe Shkupit të jenë sa më të mira.
“Unë mendoj se qytetarët e Maqedonisë e dinë këtë dhe e respektojnë mënyrën se si Serbia është sjellur me qytetarët e Maqedonisë, por edhe me shtetin e Maqedonisë. Unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me të gjitha ngjarjet e mbrëmshme dhe mesazhi im i vetëm është, dhe unë mendoj se njerëzit në Maqedoni janë të vetëdijshëm se ai vjen nga një mik i tyre i vërtetë, që të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet t’i zgjidhin në mënyrë paqësore dhe nëse kam ndonjë të drejtë, them se qetësimi i situatës është sigurisht në interesin më të mirë të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Të gjitha gjërat e tjera dhe të gjitha problemet e tjera mund të zgjidhen në tryezën e bisedimeve, në mënyrë paqësore, në një atmosferë të qetë”, ka thënë Vuçiç.
Kryeministri serb ka thënë se është mirë që menjëherë të mënjanohen të gjitha problemet, siç ka theksuar, “për të siguruar paqe dhe stabilitet për fëmijët tanë”.
Ai kërkoi që të gjithë në Maqedoni, “të njohurit e tij, por edhe ata që nuk i njeh”, që këtë mesazh ta kuptojnë si qëllimmirë dhe të bëjnë gjithçka që përsëri të mbizotërojë paqja dhe siguria.
“Serbinë gjithmonë do ta keni mik të sinqertë dhe besnik”, përfundoi kryeministri Vuçiç.