Vritet Salwan Momika që njihej me provokimet për djegien e Kuranit në Suedi

Salwan Momika, i cili kreu provokime me djegien e Kuranit në Suedi është qëlluar për vdekje, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të gazetës “Aftonbladet”, 38-vjeçari Momika u vra mbrëmë në një apartament në qytetin Södertälje.

Salwan Momika u sulmua me armë në shtëpinë e tij teksa ishte drejtpërdrejt në Tiktok.

Pas një denoncimi, policia shkoi në vendngjarje dhe u përball me trupin e pajetë të Momika-s.

Policia filloi operacion për kapjen e të dyshuarit.

– Ndodhej në proces gjyqësor

Më 16 janar në Suedi ndaj irakianëve Salwan Momika dhe Salwan Najem, të cilët kryen provokime me djegien e Kuranit, filloi gjykimi me akuzën e kryerjes së një krimi të urrejtjes.

Në një deklaratë nga Gjykata Rajonale e Stokholmit, ishte njoftuar se dy të akuzuarit, Salwan Momika dhe Salwan Najem po gjykoheshin për “kryerje të krimit të urrejtjes kundër një grupi etnik ose kombëtar” duke djegur Kuranin në katër aktivitete të ndryshme.

Gjykata pritej të shpallte vendimin të premten në datën 31 janar në orën 11:00.

– Provokimet e Momikës dhe Najemit për djegien e Kuranit

Në kryeqytetin Stokholm, Salwan Momika dhe Salwan Najem dogjën Kuranin nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stokholmit më 28 qershor 2023, që përkon me ditën e parë të Kurban Bajramit.

Momika dhe Najem më pas dogjën Kuranin dhe shkelën flamurin irakian disa herë përpara Ambasadës irakiane në Stokholm dhe Parlamentit suedez nën mbrojtjen e policisë.

Momika dogji përsëri Kuranin para xhamisë së Stokholmit më 24 gusht 2023.

Protestat u mbajtën pasi Momika dogji Kuranin nën mbrojtjen e policisë në Malmö më 3 shtator 2023 dhe pasi 15 persona që u përpoqën ta parandalonin u arrestuan.

Momika së fundmi mbajti një tubim në mbështetje të Izraelit në qendër të Stokholmit më 21 tetor 2023, ku dogji Kuranin dhe flamurin palestinez.