Vritet një i ri palestinez nga forcat izraelite

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një djalosh i ri palestinez u martirizua nga forcat izraelite afër qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Ministria e Shëndetësisë tha se palestinezi u qëllua nga forcat izraelite në fshatin Nabi Saleh në veri të Ramallahut.

Një banor vendas më herët tha për AA se 21-vjeçari Ezz al-Tamimi u qëllua dhe u plagos në gjoks nga plumbi i forcave izraelite gjatë përleshjeve në fshat.

Sipas një banori vendas, Bassel Tamim, dhuna shpërtheu kur forcat izraelite bastisën fshatin herët në mëngjes për të arrestuar “të kërkuarit” palestinezë.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar rastin e vdekjes së të riut palestinez.

Ushtria izraelite shpesh kryen bastisje dhe arrestime në të gjithë Bregun Perëndimor të okupuar me preteksin për arrestimin e palestinezëve “të kërkuar”.

Tensionet kanë vazhduar të rriten në nivel të lartë në territoret e okupuara palestineze që kur SHBA-të muajin e kaluar zhvendosën ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Kudsin e pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, qytet që përfaqëson qendrën e konfliktit palestinezo-izraelit që ekziston prej shumë dekadash.

Që nga muaji mars, të paktën 123 palestinezë janë vrarë dhe mijëra janë plagosur me armë zjarri nga forcat izraelite gjatë protestave kundër okupimit në Rripin e Gazës.