Udhëheqësi i grupit të terrorit DEASH, vendndodhja e të cilit për një kohë të gjatë ka qenë e panjohur, ka vdekur, shkroi revista amerikane e lajmeve “Newsweek”, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke përmendur dy burime anonime nga Pentagoni dhe ushtria, revista tha se ushtria amerikane ka kryer një operacion special kundër Abu Bakr al-Baghdadit në provincën veriperëndimore Idlib në Siri.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump mbrëmjen e së shtunës postoi në Twitter se “Diçka shumë e madhe sapo ka ndodhur”, kur mori informacionin për përfundimin e operacionit.
“Trump e aprovoi misionin gati një javë para se të ndodhte”, thuhet në raportimin e revistës amerikane.
Baghdadi u vra gjatë operacinit, tha “Newsweek”, duke cituar një burim të ushtrisë amerikane të njohur me rezultatet e operacionit.
“Po ashtu dhe Departamenti i Mbrojtjes i tha Shtëpisë së Bardhë se ata kanë ‘besim të lartë’ se objektivi me rëndësi të madhe që u vra ishte Baghdadi, por në pritje është verifikimi i mëtejshëm”, tha Newsweek.
Burimi i Pentagonit ka thënë po ashtu për “Newsweek” se Baghdadi është “i vdekur, por në pritje të verifikimit”.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump të dielën pritet të bëjë një “deklaratë të madhe” në ora 9:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Presidenti amerikan “do të bëjë një deklaratë të madhe nesër në mëngjes në orën 9:00 nga Shtëpia e Bardhë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Hogan Gidley në një njoftim.
Njoftimi erdhi menjëherë pas postimit në të Trump-it në Twitter.
Vendndodhja dhe statusi i Baghdadit kishim mbetur fshehtësi dhe deri më tani janë bërë pretendime të shumta se ai është vrarë në fushëbeteja të ndryshme në Irak dhe Siri.