Të paktën një grua libaneze është vrarë dhe pesë persona të tjerë janë plagosur pasi disa qytete në Libanin jugor u vunë në shënjestër nga sulmet ajrore izraelite pas lëshimit të raketave nga Libani në drejtim të Izraelit verior, transmeton Anadolu.
Agjencia Kombëtare Libaneze e Lajmeve (NNA) raportoi se një sulm ajror izraelit në qytetin Toul në Libanin jugor rezultoi në një vdekje dhe tre të plagosur.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se gjithashtu dy persona u plagosën në qytetin Kfar Kila për shkak të bombardimeve izraelite.
NNA konfirmoi se zona veriperëndimore e qytetit Yahmour al-Shakif në rajonin Nabatieh u godit nga zjarri i i artilerisë izraelite.
Sulmet kishin në shënjestër edhe periferi të qyteteve Arnoun dhe Kfar Tibnit.
Sipas NNA-së, ushtria izraelite gjuajti predha artilerie në qytetin Khiam, ndërsa një raketë goditi qytetin Houla.
Pak para sulmeve, ushtria izraelite njoftoi se kishte kryer sulme ajrore ndaj objektivave të lidhura me Hezbollahun në Libanin jugor, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, Andrea Tenenti, zëdhënës zyrtar për Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL), shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e mundshëm të dhunës.
Tenenti u bëri thirrje të gjitha palëve që “të shmangin rrezikimin e progresit të arritur, veçanërisht kur jetët e civilëve dhe stabiliteti i brishtë i shënuar muajve të fundit janë në rrezik”. Ai paralajmëroi se “çdo përshkallëzim i mëtejshëm i kësaj situate të paqëndrueshme mund të ketë pasoja serioze për rajonin”.
Tenenti theksoi se situata “mbetet jashtëzakonisht e brishtë” dhe u bëri thirrje të dyja palëve “të respektojnë angazhimet e tyre”. Ai konfirmoi se “paqeruajtësit e UNIFIL-it mbeten në të gjitha pozicionet”.
Ky përshkallëzim erdhi pasi ushtria izraelite u zotua se do t’i përgjigjet “me forcë” sulmeve me raketa nga Libani drejtuar Izraelit verior.
Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite pretendoi se ka kapur tre raketa, të cilat tha se ishin lëshuar nga Libani drejt vendbanimit izraelit Metula në Izraelin verior.
Hedhja me raketa nga Libani shënon incidentin e parë të tillë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit.
Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi në Liban që nga nëntori, që i dha fund muajve të luftës ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, i cili u përshkallëzua në një konflikt të shkallës së plotë në muajin shtator.
Autoritetet libaneze raportuan rreth 1.100 shkelje izraelite të armëpushimit, të cilat morën jetën e të paktën 85 njerëzve dhe plagosën më shumë se 280 të tjerë.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga Libani jugor deri më 26 janar, por afati u zgjat deri më 18 shkurt pasi Izraeli refuzoi zbatimin e marrëveshjes. Tel Avivi ende mban një prani ushtarake në pesë pika kufitare.